“Po goditet elementi kyç i paqes e barazisë dhe nuk rrezikohet vetëm RMV-ja, por i gjithë rajoni” – Ahmeti kërkon nga Rama që ta sensibilizojë faktorin ndërkombëtarë

October 27, 2024
1 minut lexim


Bashkimi Demokratik për Integrim ka zbuluar letrën që kreu i saj, Ali Ahmeti ia ka dërguar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, transmeton TV21.

Nga letra, mes tjerash mësohet se Ahmeti e ka njoftuar Ramën për dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe për krijimin e Qeverisë së re bazuar, siç thuhet në letër, “në përfaqësim jo të drejtë, ku shumica synon të dominojë mbi joshumicën”.


Ahmeti më tej në letër vlerëson se këto vendime paraqesin goditje të madhe ndaj themeleve të Marrëveshjes së Ohrit dhe paraqesin kërcënim serioz për paqen jo vetëm të Maqedonisë së Veriut, por gjithë rajonit.

“Këto tre goditje të mëdha ndaj themeleve të Marrëveshjes së Ohrit përbëjnë një kërcënim serioz për paqen, stabilitetin, harmoninë ndëretnike dhe demokracinë multietnike në Maqedoninë e Veriut. Këto nuk janë thjesht çështje të brendshme politike, por kanë pasoja të rënda për rajonin dhe për stabilitetin e tij. Këto ndërhyrje kërcënojnë të zhdukë elementet kyçe të paqes dhe të barazisë, duke na kthyer në kushtet e para vitit 2001, që ishin shkaktarët e krizës dhe luftës së atij viti”, thuhet mes tjerash në letër.


Më tej Ahmeti kërkon nga Rama që t’i sensibilizojë ndërkombëtarët për të ndërmarrë masa për krizën kushtetuese dhe politike në RMV.

“Në këtë moment kritik, ju bëj thirrje për veprim të përbashkët dhe të vendosur për të mbrojtur arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe të drejtat e garantuara të shqiptarëve. Angazhimi juaj për të sensibilizuar partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet relevante për këtë krizë kushtetuese dhe politike është i domosdoshëm”, shkruan më tej në letër.


Ahmeti në fund ka falënderuar Ramën për angazhimin e tij për çështjen shqiptare në rajon.

Burimi: TV21

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

BDI: Largimi i të punësuarve shqiptarë nga SH.A EMV është tendencioz dhe vetëm për arsye etnike

Story i radhës

Gjendet i pajetë një 61 vjeçar në Korçë, dyshimet e para

Të fundit nga

ShkoLartë