Kryetari i Partisë Demokratike të Kukësit, mjeku Admir Sinamati, ka prezantuar kandidaturën për në Primare për Bashkinë e Kukësit.
Lajmin e bëri të ditur vetë Sinamati në një dalje për mediat, ku prezantoi zyrtarisht kandidaturën, duke parashtruar edhe platformën e tij.
Ai tha se oferta e tij për Kukësin është oferta e një njeriu që punon dhe beson në Familje, në Zot e në Komb dhe që e do qytetin e tij.
Fjala e plotë e tij:
Të nderuar anëtarë,
të dashur simpatizantë, mbështetës dhe votues të Partisë Demokratike,
të respektuar miqtë e mi drejtues të seksioneve, grupseksioneve dhe kryesisë së PD Kukës!
Jam para jush sot për t’iu falenderuar publikisht për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer morale, shpirtërore dhe politike, gjatë kësaj periudhe të ngarkuar dhe shumë të vështirë. Kohe kur kemi bashkëpunuar për të ruajtur vlerat e përbashkëta njerëzore dhe ideologjike, në shërbim të Kukësit dhe Shqipërisë, duke punuar dhe drejtuar së bashku Partinë Demoratike në Rajonin tonë.
Të dashur demokratë kuksianë!
Unë iu përgjigja thirrjes tuaj, në shenjë vlerësimi dhe respekti gjatë periudhës së përzgjedhjes së kandidatëve të PD për pushtet qendror e lokal në verë-vjeshtën e vitit 2020, por verdikti juaj në votimin e 25 Shtatorit 2020 nuk u njoh, pavarësisht se me votën tuaj më klasifikuat si më të mbështeturin. Kjo gjë ndodhi pasi asokohe ne Partinë Demokratike vendoste kryetarokracia dhe jo anëtarësia.
Gjithsesi nuk u dekurajova aspak, por i sigurtë në lidhjen tonë dhe besën e dhënë nuk u ndava asnjë minutë nga thirrja dhe bindja e shumicës prej jush.
Së bashku kontribuam në fitoren plebishitare të zgjedhjeve të 25 Prillit në Kukës, ndërsa pas 9 Shtatorit 2021 u ribashkuam rreth Dr. Berishës për të shpëtuar Partinë Demokratike nga pengmarrja dhe ia dolëm.
Ia dolëm të bashkojmë shumicën dërrmuese të demokratëve dhe të rithemelojmë Partinë Demokratike, sipas një filozofie të mirfilltë konservatore ku roli i anëtarit të partisë u ngrit në nivelin e kërkuar prej kohësh, -tashmë nëpërmjet parimit te “Primareve”, të sanksionuara në Statutin e votuar nga 4435 anëtarë të Kuvendit Kombëtar të PD.
Të nderuar miq, u ndjeva shumë i vlerësuar kur, pothuaj të gjithë kandidatët për kryetar të Degës së PD Kukës, në zgjedhjet e 17 Prillit 2022 iu bindën instiktivisht thirrjes se anëtarësisë, më kërkuan në mënyrë unanime dhe në konsensus të plotë ndërmjet tyre për të kandiduar dhe më vonë për t’u zgjedhur Kryetar i Degës së PD Kukës me rreth 92% te votave.
Të dashur motra e vëllezër demokratë.
Prej kohësh dhe në mënyrë të përsëritur kam marrë thirrje direkte, mesazhe të pafundme nga drejtues politikë lokale të PD –Kukës, anëtarë të thjeshtë të PD, miq, por edhe nga njerëz që nuk i kam takuar apo nuk i njoh fizikisht; per t’i prirë garës si kandidat i PD për kryetar të Bashkisë Kukës.
E vërteta është që: pas vitit 2005 kohë kur PD erdhi në pushtet, pavarsisht ofertave të bëra nga kabineti i kryeministrit Berisha për punësim në administratën e lartë të shtetit, unë iu ktheva me impenjimin maksimal Universitetit dhe profesionit tim të dashur Mjekësisë. Pas një pune të palodhur arrita të marr produktin final – vlerësimin nga profesorët e mi të nderuar, kolegët dhe bashkëpunëtorët e mi vendas dhe të huaj. Arritjet e mia nuk i kam mbajtur thjesht si trofe për vete, por i kam ndarë me njerëzit në nevojë pa dallim përkatësie apo origjine dhe ky fakt më ka dhënë energji, fuqi dhe dëshirë për të vazhduar përpara.
Për shkak të dashurisë sime te pakufishme për Kukësin, formimit tim profesional si mjek, instiktit të brendshëm të shërbesës dhe ndjesisë së përuljes para njerëzve nevojtarë, i shtyrë nga kërkesa e vazhdueshme e sinqertë Juaja, kushtet në të cilat ndodhet per fat të keq Kukësi si dhe përgjegjësia që lind nga pozicioni politik, kam vendosur ta pranoj thirrjen tuaj dhe të KUKESIT, për të marrë pjesë si kandidat në “Primare” e PD Kukës.
Unë kam vendosur të marr pjesë në këtë proçes politik jetik dhe demokratik përzgjedhës, të kërkoj votbesimin tuaj për të më nominuar si kandidat i PD dhe opozitës aktuale për kryetar Bashkie në Kukës duke iu siguruar se:
– oferta ime është oferta e nje biri që e do pa kushte vendlindjen e tij,
– e një intelektuali që betohet në emër të parimeve të barazisë dhe së drejtës njerëzore,
– e një politikani që ka yll polar votën e lirë dhe besimin në vlerat e demokracisë,
-Oferta ime për Kukësin është oferta e një njeriu që punon për/dhe beson në Familje, në Zot dhe në Komb!
Misioni ynë i përbashkët është të punojmë pa u lodhur për të çliruar njëherë e mirë Kukësin nga uzurpatorët, të cilët përveç korrupsionit, arrogancës, dhunës, shpërfilljes po i servirin Kukësit dhe Shqipërisë emigracionin masiv dhe zbrazjen e shtëpive shqiptare.
Qëllimi ynë përkon me interesin e gjithë qytetarëve kuksianë, ndaj unë ndjehem i bindur dhe i sigurtë në realizimin e fitores sone ne zgjedhjet e 14 Majit 2023!
Zoti e bekoftë Kukësin!
Zoti i bekoftë patriotët dhe shqiptarët që e duan pa kushte Shqipërinë!