Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq ka biseduar sot me sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken, i cili shprehu shqetësimin dhe mbështetjen e tij pas rrëzimit të dronit në Zagreb dhe gatishmërinë e tij për të mbrojtur qiejt e Kroacisë së bashku me NATO-n.
“Sonte fola me sekretarin e Shtetit Blinken, i cili më thirri që të shprehë shqetësimin dhe mbështetjen e tij pas rrëzimit të dronit në Zagreb dhe gatishmërinë për të ndihmuar në mbrojtjen e qiellit tonë së bashku me NATO-n”, ka shkruar Plenkoviq në Twitter.
Një dron i prodhimit sovjetik u rrëzua të enjten mbrëma pas orës 23:00 në lagjen “Jarun” të Zagrebit. Ai ka hyrë në hapësirën ajrore kroate nga Hungaria, pasi më herët kaloi mbi Rumani, ndërsa mendohet të ketë fluturuar nga zona e luftës në Ukrainë.
Siç tha të hënën kryeministri kroat, në dron ka pasur eksploziv dhe po kërkohet hetim i mëtejshëm për të përcaktuar se kush e ka lëshuar fluturaken drejt Kroacisë dhe në çfarë mënyre dhe nëse ka qenë gabim, sabotim apo qëllim.
Plenkoviq tha gjithashtu në Twitter se Blinken përshëndeti mbështetjen e qartë të Kroacisë për Ukrainën dhe përpjekjet për të pranuar refugjatët ukrainas.