Falë ndërhyrjes në kohë nga shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr. 6, parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti me sende të forta.
Plagosi një shtetas me sende të forta, në një lokal, vihet menjëherë në pranga 38-vjeçari.
I përfshirë në konflikt edhe xhaxhai i të arrestuarit, i cili u vu në pranga pasi iu gjetën në banesë armë zjarri dhe municion luftarak.
Procedohet në gjendje të lirë pronari i lokalit ku ndodhi konflikti, pasi dëmtoi vendngjarjen dhe nuk kallëzoi krimin.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas marrjes së njoftimit për një konflikt në një lokal, në Ndroq, ku dy shtetas kishin goditur me sende të forta një shtetas tjetër, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e autorëve të dyshuar.
Brenda një kohe rekord, falë veprimeve profesionale policore nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, janë shoqëruar në komisariat dhe janë arrestuar në flagrancë shtetasit:
– S. M., për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”;
– H. M., për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve”.
Gjithashtu është proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasi P. R., pronari i lokalit ku ndodhi konflikti, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Shtetasi S. M., së bashku me xhaxhain e tij, shtetasin H. M., në një lokal në Ndroq, janë konfliktuar me shtetasin P. T., i cili si pasojë e konfliktit është dëmtuar dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, ndërsa pronari i lokalit, shtetasi P. R., ka dëmtuar vendngjarjen duke penguar zbulimin e së vërtetës, si dhe nuk ka kallëzuar krimin.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë ushtruan në banesën e shtetasit H. M., u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri pushkë, 2 krehëra arme zjarri pistolete dhe sasi e konsiderueshme municioni luftarak.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.