Në kuadër të Kryesimit Spanjoll me Bashkimin Evropian, kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Arbër Ademi, merr pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Komisioneve Parlamentare për Çështje Evropiane të Vendeve Anëtare të BE-së – KOSAK, që mbahet në Madrid, Mbretëria e Spanjës më 17 dhe 18 shtator 2023.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bashkimit Evropian dhe Bashkëpunimit, Hoze Manuel Albares Bueno dhe nënkryetari i parë i Parlamentit Evropian, Otmar Karas, i prezantuan prioritetet e Kryesimit Spanjoll: riindustrializimi i BE-së, arritja e progresit në tranzicionin ekologjik, drejtësia sociale dhe ekonomike dhe forcimi i unitetit evropian. Në të njëjtën kohë, theksuan se agresioni rus e rrezikon sigurinë e Evropës dhe ka pasoja të rënda në ekonominë evropiane.
Në Konferencë u theksua se këto prioritete nënkuptojnë se Kryesimi Spanjoll do të punojë për të reduktuar varësinë e tepruar të BE-së nga vendet e treta në fusha të tilla si energjia, shëndetësia, teknologjitë digjitale dhe ushqimi, dhe do të promovojë zhvillimin e industrive dhe teknologjive strategjike në Evropë dhe me strategji të përbashkët për të garantuar sigurinë ekonomike të BE-së.
Më tej u theksua se Spanja do të fokusohet në reformën e tregut të energjisë elektrike dhe më shumë burime të rinovueshme. Në këtë drejtim, të zvogëlohet varësia nga energjia dhe lëndët e para, të ulen faturat e energjisë, të rritet konkurrueshmëria dhe të krijohen vende pune. Pra, gjatë mandatit të tij gjashtëmujor, Kryesimi Spanjoll do të përpiqet të forcojë unitetin evropian, me mbështetje të koordinuar për Ukrainën nën parimet e unitetit dhe solidaritetit.
Në lidhje me zgjerimin, deputeti Arbër Ademi pati prezantimin e tij në të cilin theksoi rëndësinë e procesit të bashkimit të vendeve kandidate për anëtarësim në BE, si proces i rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili është i domosdoshëm për stabilitetin në rajon. Më pas, ai theksoi se anëtarësimi në BE është motiv dhe shtytës i fortë i reformave evropiane në të gjitha fushat e rajonit.
Në sesionin kushtuar së ardhmes së Ukrainës në BE, Ademi theksoi se Ukraina ka mbështetje të parezervë nga Maqedonia e Veriut dhe se kjo mbështetje do të vazhdojë derisa Ukraina t’i tejkalojë sulmet ruse dhe t’i mbrojë vlerat evropiane.
Gjatë konferencës, Ademi zhvilloi një sërë takimesh me kolegët e tij nga parlamentet e vendeve anëtare që janë anëtare të BE-së, si dhe u takua me kolegët nga rajoni.