Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian deklaroi sot se, 6 miliardë dollarë asete iraniane të ngrira, do të lirohen nga Katari, ndërsa negociatat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përballen me vështirësi, pas sulmeve në rajonin e Gjirit Persik gjatë fundjavës, raportoi AP.
Pezeshkian sugjeroi se fondet, janë pjesë e një marrëveshjeje të përkohshme, në një moment kur tensionet në Ngushticën e Hormuzit janë rritur, pas përpjekjeve për të hapur ujërat territoriale të Omanit, për trafikun detar hyrës dhe dalës nga Gjiri Persik.
Sipas tij, sulmet dhe kërcënimet e Iranit, kanë penguar lëvizjen e anijeve dhe tankerëve në këtë korridor strategjik, përmes të cilit, kalon rreth një e pesta e tregtisë globale të naftës dhe gazit natyror, duke krijuar shqetësime për një krizë energjetike.
Ngushtica e Hormuzit, konsiderohet prej kohësh një rrugë ujore ndërkombëtare, pavarësisht se ndodhet brenda ujërave territoriale të Iranit dhe Omanit.
Ditët e fundit, Irani ka sulmuar dy herë, anije që kalonin pranë pjesës së Omanit, duke nxitur sulme ajrore hakmarrëse amerikane dhe duke rritur frikën se, negociatat për një përfundim formal të konfliktit, mund të dështojnë.
Gjithashtu, Irani kreu dje sulme me dronë dhe raketa ndaj Bahreinit dhe Kuvajtit.
Pakistani, që luan rol ndërmjetësues, njoftoi se bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit, pritet të rifillojnë të martën mbi kushtet e një marrëveshjeje të përkohshme.
Administrata amerikane deklaroi se asgjë nuk është anuluar dhe se negociatat teknike, janë ende në plan për ditët në vijim, ndërsa Irani nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij.
Pezeshkian e përshkroi marrëveshjen e përkohshme si “një fitore të madhe për popullin iranian”, duke thënë se 6 miliardë dollarë, nga gjithsej 12 miliardë dollarë asete iraniane, në Katar, do të lirohen dhe do të kthehen në vend. Ai nuk dha detaje të mëtejshme.
Presidenti iranian, një figurë reformiste brenda sistemit teokratik të vendit, është zyrtari më i lartë që konfirmon publikisht, lëshimin e fondeve të bllokuara në Katar, një vend që së bashku me Pakistanin po luan rol kyç në ndërmjetësimin e bisedimeve.
Deri tani, zyrtarët amerikanë, thonë se nuk është liruar asnjë fond i ngrirë iranian, ndërsa as Katari nuk ka konfirmuar ndonjë transferim të tillë.
Burimi: botasot.info


