Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, edhe një herë konfirmoi se Maqedonia e mbështet qëndrimin e NATO-s dhe në këtë drejtim drejton aktivitetet ushtarake, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Vlerësimet janë sekrete dhe janë në strukturën e NATO-s, pra janë në një shkallë klasifikimi. NATO synon të mbrojë territoret e vendeve të Aleancës”, njofton Petrovska për “Sitel”, duke iu përgjigjur pyetjes se a është e mundur që ushtarët e URM-së të përfshihen në një konflikt të mundshëm ukrainas-rus.
Sipas saj, deri më tani ushtrisë sonë nuk i është kërkuar të marrë pjesë në konflikte ushtarake.
“Ndjekim udhëzimet e NATO-s. Ne tashmë po marrim pjesë në mekanizma dhe nuk do të habitemi nga vendimi. Mirëpo, shembulli me ushtarët e Maqedonisë është i qartë, nuk mund të hyjmë në territorin e një vendi që nuk i përket NATO-s, në këtë rast në Ukrainë”, shpjegoi Petrovska.
Ajo shton se deri më tani Maqedonisë nuk i është kërkuar që të marrë trupa shtesë nga Aleanca dhe se një vendim i tillë do të jetë i kryesisë së shtetit dhe Presidentit.