Shkup, 7 dhjetor – Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska sot ka zhvilluar takim me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së të akredituar në Maqedoninë e Veriut. Takimi ka qenë në funksion të asaj që ministrja të informojë ambasadorët mbi aktivitetet prioritare në Ministrinë e Mbrojtjes, situatën në Armatë dhe proceset reformuese që po ndërmerren në këtë sferë, kumtoi Ministria e Mbrojtjes.
Petrovska i njoftoi ambasadorët me reformat në sistemin e menaxhimit të krizave, infrastrukturën kritike, sfidat rreth kërcënimeve hibride dhe mbrojtjen kibernetike, përmirësimin e standardit të pjesëtarëve të Armatës dhe punonjësve të Ministrisë së Mbrojtjes, por edhe për pjesëmarrjen në misione të ndryshme të NATO-s dhe BE-s dhe proceset e modernizimit të Armatës. Petrovska me ambasadorët adresoi edhe çështjen e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për çka theksoi se kjo luftë është vendimtare për të gjitha palët e interesuara në shoqëri. Ajo theksoi se lufta kundër korrupsionit është çështje e sigurisë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, poashtu dhe integrimi i tyre në Bashkimin Evropian.
Në takimin me ambasadorët, Petrovska theksoi se Maqedonia e Veriut ka rol kyç në promovimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe poashtu theksoi se duhet të bëhen të gjitha përpjekjet që të ruhet perspektiva e BE-së si forcë kryesore lëvizëse e vendeve të Ballkanin Perëndimor.
“Maqedonia e Veriut me kulturën e saj të dialogut dhe aftësinë për të arritur kompromise për çështjet bilaterale u promovua si një kontribues aktiv në ndërtimin dhe forcimin e stabilitetit, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal në Evropën Juglindore. Sigurimi i një perspektive të prekshme për integrimin evropian është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Ballkanin Perëndimor në tërësi. Kjo do t’i formësojë vendet e rajonit në partnerë prosperues dhe të besueshëm në luftën kundër sfidave tona të përbashkëta”, theksoi Petrovska.
Lidhur me krizën në Ukrainë, ajo theksoi se vendet e NATO-s janë të bashkuara në mbështetjen e tyre në përpjekjet për të mbrojtur pavarësinë dhe sovranitetin e tij territorial dhe shtoi se Maqedonia e Veriut e ka dëshmuar këtë në vepër përmes vendimeve për ndihma ushtarake dhe humanitare, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Mbrojtjes.
Burimi: zhurnal.mk