Presidenti Bajram Begaj dekretoi emërimin e Petrit Malajt si ambasador rezident, të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës. Malaj pason Qemajl Minxhozin i cili përfaqësonte Tiranën zyrtare si ambasador në Prishtinë.
Malaj vjen nga fusha e kulturës, ndërsa ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme si aktor, i nderuar me tituj më të lartë në Shqipëri. Ai gjithashtu ka qenë dekan i Fakultetit të Artit Skenik, pedagog dhe rektor i Universitetit të Arteve.
Malaj gjithashtu ka mbajtur ndër vite dhe disa pozicione të tjera si zv kryetar i këshillit drejtues të RTSH-së dhe përfaqësues i qytetarëve të Tiranës në Këshillin Bashkiak si anëtar në vitet 2007-2011.
Përpos Malajt, Begaj ka dekretuar edhe emërimin e Ilir Hysajt si ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Shtetin e Kuvajtit, rezident, dhe ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Irakut, jorezident.
Ilir Tepelena është emëruar ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Çekisë, rezident.
Enkeleda Mërkuri është emëruar ambasadore e jashtëzakonshme dhe fuqiplotë e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Rumanisë, rezident.
Oljan Kanushi është emëruar ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Sllovenisë, rezident.
Mimoza Halimi është emëruar ambasadore e jashtëzakonshme dhe fuqiplotë e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Polonisë, rezident, dhe ambasadore e jashtëzakonshme dhe fuqiplotë e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Estonisë, Republikën e Letonisë, Republikën e Lituanisë dhe në Republikën e Ukrainës, jorezident.
Sokol Dedja është emëruar ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Danimarkës, rezident.