Pesha e kredisë afatgjatë në portofolin e sektorit bankar këtë vit ka arritur pranë niveleve më të larta historike. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit korrik të këtij viti, pesha e kredisë afatgjatë (me maturim mbi pesë vjet), kundrejt totalit arriti në 61.1%, nga 59.7% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, në muajin janar 2024, kredia afatgjatë arriti një peshë edhe më të lartë, duke shënuar një rekord prej 61.6%.
Gjatë viteve të fundit ka një tendencë të qartë të rritjes së peshës së kësaj kredie në strukturën e kredisë bankare. Kjo rritje është e lidhur shumë me orientimin më të madh të sektorit bankar drejt kredisë për pasuri të paluajtshme dhe në përgjithësi drejt financimeve që mbështesin kryerjen e investimeve.
Në vlerë, portofoli i kredive afatgjata preku shumën e 479 miliardë lekëve në fund të korrikut, me një rritje prej 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Kreditë më tipike afatgjata janë ato që shkojnë për financimin e blerjes apo ndërtimit të pasurive të paluajtshme, qoftë nga ndërmarrjet apo nga individët. Kredia për këto qëllime në vitet e fundit është rritur me ritme të larta, e nxitur nga cikli i ri i lulëzimit të tregut të pasurive të paluajtshme, por edhe nga një ofertë e lartë e bankave në këtë segment.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia për blerje banesash nga individët ka arritur vlerën totale të 198 miliardë lekëve ose gati dy miliardë eurove, me një rritje vjetore prej 16%. Ky produkt tashmë ka peshën kryesore në portofolin total të kredisë bankare dhe përbën më shumë se 26% të portofolit të kredisë për ekonominë. Me ritme shumë më të shpejta po rritet kredia për pasuri të paluajtshme dhënë bizneseve, që ka arritur në 173 miliardë lekë, në rritje me 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Zgjerimi në tregun e kredive hipotekare, sidomos tek individët, është një mekanizëm që mundëson një shpërndarje të mirë të riskut kreditor, por që mundëson edhe një rritje afatgjatë të biznesit. Kreditë hipotekare dhe ato afatgjata në përgjithësi kanë një amortizim më të ngadaltë në kohë dhe ofrojnë një qëndrueshmëri më të madhe të rritjes së kredisë.
Megjithatë, rritja e shpejtë e kredisë për pasuri të paluajtshme, sidomos në dy vitet e fundit, ka shkaktuar shqetësimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), që qysh në janar të këtij viti paralajmëroi Bankën e Shqipërisë për rreziqet e rritjes së shpejtë të kredisë, sidomos në segmentin e pasurive të paluajtshme.
Banka e Shqipërisë reagoi në fund të muajit qershor, duke rritur më tej kërkesat për nivelin e majftueshmërisë së kapitalit, nëpërmjet aplikimit për herë të parë një norme kundërciklike, që ka si qëllim direkt frenimin e rritjes së shpejtë të kreditimit.