Policia po përgatit kallëzime penale ndaj pesë personave të dyshuar për fajde, zhvatje dhe pastrim parash, pas aksionit të zhvilluar në orët e para të mëngjesit në Kumanovë.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash dhe dokumentacion që dyshohet se dëshmon aktivitetet e paligjshme të një grupi kriminal, i cili, sipas policisë, ka vepruar në territorin e Kumanovës që nga viti 2021.
Drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, deklaroi se grupi ka funksionuar në mënyrë të organizuar për më shumë se pesë vjet dhe se hetuesit disponojnë prova serioze për aktivitetet e dyshuara kriminale.
Sipas tij, hetimi nisi pas një informacioni të dorëzuar në polici nga një person, mbi bazën e të cilit institucionet ndërmorën veprimet hetimore.
Ndërkohë, Banka Popullore po kontrollon edhe një këmbimore që dyshohet se ka lidhje me vëllain e njërit prej të dyshuarve.
Autoritetet kanë paralajmëruar se ndaj pesë personave do të parashtrohen kallëzime penale për veprat që dyshohet se kanë kryer.
Burimi: lajmpress.org



