Shoqata “Miqtë e Amerikës” në Kosovë, ka kremtuar sot përvjetorin e 76-të të lindjes së ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Clinton. Me këtë rast në ambientet e shkollës fillore “Xhavit Ahmeti” në Prishtinë është përuruar edhe këndi amerikan.
Drejtori i kësaj shkolle Xhavit Berisha tha se për këtë është dashur që të punojnë shumë, për arsye se fëmijët janë në pushime verore. Ai tha se Amerika ka bashkëpunuar me Kosovën e veçanërisht ish-presidenti Clinton në kohën e luftën.
Berisha: Ndjejmë mburrje e krenari për Bill Clinton
“Ky është vetëm një fillim që ne e ndiejmë për mburrje dhe krenari, çdo bashkëpunim që ka të bëjë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në veçanti me ish-presidentin Clinton kur dimë vendimet e tij, në kohët më të vështira për ne”, tha ai.
Ndërsa, Agim Rexhepi, drejtor i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, tha se historia e popullit shqiptar duhet të barten brez pas brezi.
Rexhepi: Veprimet tona duhen të ruhen për gjeneratat e reja
“Populli jonë, historia e dëshmon, jemi djeg, jemi persekutuar, jemi shkatërruar, jemi rrënuar dhe asnjëherë askush nuk ka marrë veprime të caktuara të tyre ndaj tyre ose agresorëve. Po ashtu vërejmë që ka tendenca për rikthimin e vetëdijes apo dëshirës të fëmijëve tanë rreth veprimeve të ndryshme që mendoj se nuk janë të mira, sepse ne nuk e kemi atë komoditet, nuk jemi popull i madh, nuk jemi të fuqishëm andaj për veprimet tona mendoj që duhet të jemi shumë këmbëngulës që ne t’i ruajmë fëmijët tanë”, tha Rexhepi.
Gjithashtu në këtë aktivitet u prezantuan edhe disa punime nga nxënësit e shkollës të cilat sipas drejtorit të shoqatës “Miqtë e Amerikës” do t’i dërgohen ish-presidentit Bill Clinton.