Në Turneun Ballkanik të Futbollit të Amputuarëve që u zhvillua në Shqipëri, Kosova zuri vendin e dytë, duke shënuar kështu një sukses të jashtëzakonshëm, edhe pse kjo ishte hera e parë që Kosova u përfaqësua në këtë garë.
Kryetari i Përfaqësueses së Kosovës në këtë kategori, Mirjon Samadraxha, thotë se rezultati i arritur në këtë kampionat ishte ai që e kishin pritur.
Samadraxha: E prisnim një rezultat të mirë në Ligën Ballkanike
“Ne kemi qenë pjesëmarrës në Ligën Ballkanike që mbahet, këtë vit ishte sezoni i parë, kanë qenë pjesëmarrës Shqipëria, Turqia dhe Kosova. Kosova është renditur e dyta pas fitores kundër Shqipërisë me rezultat 2.0 me një paraqitje fantastike nga djemtë…Sinqerisht ishte rezultati që e prisnim dhe e dëshiruam për këtë kampionat”, thotë Samadraxha.
Samadraxha ka bërë të ditur se ky ekip ka në përbërje 15 lojtarë të cilët e zhvillojnë këtë aktivitet krejtësisht në baza vullnetare.
Samadraxha: Aktivitetet tona bëhen në mënyrë vullnetare
“Ky ekip, shumicën e aktiviteteve i bënë në mënyrë vullnetare, nga unë, nga ekipi, nga trajneri, nga të gjithë ne. Mbështetja e federatës është, kur ne kemi gara ndërkombëtare në përfaqësim të Kosovës, ata na përkrahin në udhëtime, në akomodim dhe këto gjëra…Momentalisht jemi 15 lojtarë, tre portierë dhe stafi i trajnerit”, thotë Samadraxha.
Ai shton se ky grup i lojtarëve janë jashtëzakonisht të motivuar dhe se momentet më të mira i përjetojnë gjatë stërvitjeve të përbashkëta.
Samadraxha: Për këtë kategori, stërvitjet janë pjesa më e bukur e javës
“Disa nga ata thonë që është pjesa më e bukur e javës kur kemi stërvitje pasi që është një grup i njëjtë dhe ndihen të liruar pasi që nuk i kanë ato problemet jashtë fushës që i kanë, ndihen të liruar dhe kënaqen shumë gjatë stërvitjeve dhe gjatë ndeshjeve…Është sport motivues kur shohim disa persona me aftësi të kufizuara duke luajtur futboll, është motivuese edhe për njerëzit tjerë”, thekson tutje Samadraxha.
Kërkesa e Samadraxhës është që të ketë më shumë mbështetje financiare për këtë kategori.
Samadraxha: Kemi nevoje për mbështetje financiare
“Ne kemi nevojë për mbështetje financiare duke marrë parasysh se kemi lojtarë nga të gjitha trevat e Kosovës, Hani i Elezit, Gjakova, Prizreni, Suhareka. Pra, është problem, çdo vikend të udhëtohet për të ardhur në stërvitje sepse stërvitjet i mbajmë në Prishtinë dhe është goxha e mundimshme për të gjithë ata”, thotë Samadraxha.
E synimi madhor është kualifikimi në Kampionatin Evropian të të Amputuarve.
Samadraxha: Synojmë kualifikimin në Kampionat Evropian
“Është e ngjashme me futbollin normal, pra janë Evropiani, Botërori, kualifikimet për në Evropian. Vitin e ardhshëm i kemi kualifikimet për Evropian, jemi në grup me Skocinë, Rumaninë dhe Shqipërinë që është një grup i favorshëm për ne që të shpresojmë në kualifikim”, përfundon Sermaxhaj.
Burimi: botasot.info