Përplasje për sheshin `Xhorxh Bush` mes institucioneve lokale dhe qendrore

April 30, 2025
1 minut lexim

Të mërkurën punimet për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” kanë vazhduar, pavarësisht se ato shpesh po ndërpriten nga Inspektorati për Trashëgimi Kulturore. Institucionet për Trashëgimi thonë se ka shkelje ligjore dhe ndërhyrje në zonë të mbrojtur, derisa Komuna e Prishtinës pretendon se ndërprerja e punimeve po bëhet paligjshëm dhe me qëllim të bllokimit të zhvillimit urban të kryeqytetit.

Punimet në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë, kanë shkaktuar përplasje mes institucioneve të nivelit lokal dhe atij qendror.

Sipas Ministrisë së Kulturës, një pjesë e sheshit përfshihet në zonën mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës. Për rrjedhojë, çdo ndërhyrje duhet të kalojë nëpër një procedurë të përcaktuar ligjore, përmes Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore dhe më pas në Institutin e Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve.

Nga ana tjetër, Komuna e Prishtinës këmbëngul se punimet do të vazhdojnë duke thënë se do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për t’i kundërshtuar të gjitha vendimet e kundërligjshme të Ministrisë së Kulturës dhe të institucioneve vartëse të saj.

RTK ka tentuar të marrë edhe qëndrime nga arkeologë, por shumica prej tyre nuk kanë pranuar të deklarohen publikisht.

Ndërkohë, Bekim Salihu nga Instituti GAP tha se mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional po çon drejt bllokimit të projekteve. 

“Dy institucionet mund ta bllokojnë njëra-tjetrën, por qëllimi dhe mandati i tyre nuk është bllokimi, por komunikimi, koordinimi dhe pajtimi sipas legjislacionit në fuqi”, tha ai. 

Ndërsa, çështja mbetet e hapur dhe në pritje të një epilogu ligjor, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka bërë thirrje që palët të ulen dhe të punojnë së bashku për të gjetur një zgjidhje të përbashkët që respekton ligjin dhe interesin publik.

Burimi: botasot.info

MARKETING

RENT A CAR

Story i mëparshëm

PD, lobim 6 milion dollarë/ Petraj: SPAK do thërrasë Flamur Nokën, ka firmosur kontratën

Story i radhës

Istogu gati për sfidën e parë të gjysmëfinales, synojnë titullin e pestë në histori

Të fundit nga

sqmken
ShkoLartë