Edhe të martën ka dështuar zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, pasi opozita vazhdon të kundërshtojë kandidaturën e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje për këtë post.
Hekuran Murati, nga Lëvizja Vetëvendosje, pas përfundimit të seancës së së martës, ka deklaruar se ka deputetë nga opozita që janë të gatshëm të votojnë në favor të Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.
Megjithatë, ai ka shpjeguar edhe arsyet pse ata nuk po e bëjnë një gjë të tillë.
“Ka akuza që po kërkohet të votohet me zor. Përkundrazi ne kemi dëgjuar që deputetë individualë që kanë shprehur vullnetin dhe dëshirën e tyre që të votojnë për dhe tejkalohet kjo bllokadë. Por janë qëndrimet politike të subjekteve të tyre që nuk i lejojnë të ndahen nga grupi parlamentar dhe vota uniforme që e kanë si grup. Nëse ka kufizim të drejtës për votim ka në këto parti që insistojnë të votojnë kudër apo mos të marrin pjesë fare në votim. Ajo çka po kërkon opozita që ne t’i sigurojmë vet votat si parti fituese dhe jo të jetë obligim i të gjithë deputetëve, kjo na rezulton me situatën që ne mos t’i votojmë kandidatët e tyre për nënkryetarë”, ka thënë Murati.
Profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se zgjedhja e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit është një proces shumë i thjeshtë.
Sipas tij, mjafton vetëm një marrëveshje mes partive politike për ta zgjidhur këtë çështje.
“Pikat më të dobëta të partive parlamentare, pozitë e opozitë, janë inatet politike që kanë ngulfatur institucionet e Kosovës me mos votimin e Albulena Haxhiut për Kryetare të Kuvendit të Kosovës.Dështimet e njëpasnjëshme të seancave në Kuvendin e Kosovës në lidhje me Kryetarin e Kuvendit nuk shprehin asgjë tjetër përveç inateteve politike. Zgjedhja e Albulena Haxhiut është shumë e thjeshtë, duhet vetëm një marrëveshje e partive politike dhe asgjë më shumë, mirëpo kur inatet janë të mëdha sa malet, atëherë kjo marrëveshje e thjeshtë bëhet aq e ngatërruar saqë zgjedhjen e Haxhiut e kanë barrikaduar aq shumë saqë institucionet e Kosovës të mbeten pezull pa fajin e votuesve dhe qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, profesori e ka komentuar edhe deklaratën e Muratit duke e quajtur shpresëdhënëse, duke thënë se Kurti duhet të marrët vesh me deputetët e opozitës që do jenë pro-Haxhiut.
“Në këtë rast fajtorë nuk janë vetëm krerët e partive opozitare, por edhe Kryeministri në detyrë, Albun Kurti, i cili rreptësishtë mohon marrëveshjet me partitë opozitare për të votuar kreun e Kuvendit të Kosovës që hap rrugën e qeverisë së re të Kosovës. Deklarata e Hekuran Muratit, se disa deputetë të opozitës janë të gatshëm të votojnë pro-Albulena Haxhiut është shpresëdhënëse, por nuk e dimë sesa është e vërtetë, është një ide e mirë e Hekuranit që hap rrugën e mëtutjeshme të institucioneve të Kosovës, nëse kryetarit të partisë së Hekuran Muratit, Albin Kurtit, opozita nuk ia hap rrugën e Albulena Haxhiut, atëherë duhet të merret vesh me disa deputetë të opozitës që do jenë pro-Haxhiut, marrëveshja e Kurtit me disa deputetë të opozitës është varianti më i mirë dhe më i frytshëm për formimin e qeverisë së re të Kosovës.
Është i detyruar Albin Kurti të bëjë disa lëvizje politike me deputetët e partive opozitare, për ndryshe ngërçi i kryeparlamentarit do vazhdojë dhe mëtej”, ka përfunduar Mehazi.
Burimi: botasot.info