Dy persona kanë humbur jetën dhe një tjetër rezulton i zhdukur pas reshjeve të dendura dhe përmbytjeve që kanë goditur rajonin e Katalonjës në Spanjë.
Lajmi u konfirmua nga autoritetet lokale, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat e prekura.
Udhëheqësi i Katalonjës, Salvador Illa, konfirmoi vdekjen e një burri në Tordera, në veri të Barcelonës, pasi një mur u shemb si pasojë e motit të keq.
Një viktimë e dytë është regjistruar në komunën e Montornès del Vallès. Ndërkohë, shërbimet e emergjencës po kërkojnë një person të zhdukur në Pineda de Mar, rreth 52 kilometra në veri të Barcelonës.
Reshjet e dendura kanë shkaktuar përmbytje të shumta, duke bllokuar rrugë dhe duke marrë me vete automjete. Autoritetet kanë aktivizuar shërbimet e emergjencës në disa zona, ndërsa qytetarëve u është kërkuar të tregojnë kujdes dhe të shmangin zonat e përmbytura.Moti ekstrem ka shkaktuar probleme edhe në pjesë të tjera të Spanjës.
Në Madrigueras, në Spanjën qendrore, reshje shumë intensive në një periudhë të shkurtër shkaktuan përmbytje të mëdha. Një grua 102-vjeçare humbi jetën pasi uji përmbyti banesën e saj në katin përdhes, ndërsa rreth 90 persona u shpëtuan nga ekipet e emergjencës.
Autoritetet spanjolle vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa pritet që ekipet e shpëtimit të vazhdojnë kërkimet për personin e zhdukur në Katalonjë.
Burimi: botasot.info


