Numri i personave që humbën jetën nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut në rajonet veriore të Indisë ditët e fundit ka kaluar mbi 100, transmeton Anadolu.
Në deklaratën nga qeveria e shtetit Himachal Pradesh, thuhet se 88 persona humbën jetën në shtet dhe më shumë se 100 të tjerë u plagosën.
Thuhet se 170 shtëpi janë shkatërruar ndërsa 600 janë dëmtuar nga përmbytjet ku janë shembur rrugë dhe ura. Që nga 8 korriku, më shumë se 300 persona të bllokuar nga përmbytjet, kryesisht turistë, janë shpëtuar me helikopterë.
Zëdhënësi i qeverisë së shtetit Uttar Pradesh, Shishir Singh tha se 12 persona humbën jetën në shtet për shkak të shirave të dendur. Autoritetet raportuan se një person humbi jetën në kryeqytetin e vendit, New Delhi, ndërsa 4 persona në Xhamu dhe Kashmir.
Mungesa e ujit të pijshëm në New Delhi
Shirat mosun, të cilat ishin efektive edhe në New Delhi, shkaktuan vërshimin e lumit Yamuna dhe përmbytën shumë vendbanime në rajon. Në deklaratën nga Zyra e kryeministrit të shtetit të New Delhit, Arvind Kejriwal, thuhet se mbrëmë niveli i ujit të lumit arriti nivelin më të lartë në 40 vitet e fundit.
Rreth 30 mijë njerëz u dërguan në kampe të përkohshme. Sipas “Hindustan Times”, në New Delhi ka mungesë të ujit të pijshëm. Kejriwal tha se funksionimi i tre impianteve të ujit në New Delhi është ndërprerë për shkak të rritjes së nivelit të ujit në lumin Yamuna.
Ka shqetësime se mungesa e ujit do të rritet në disa pjesë të qytetit në ditët në vijim.