Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përkujtuar me rastin e 34-vjetorit të vrasjes poetin Havzi Nela, i cili u var me litar nga regjimi komunist në qytetin e Kukësit.
Në një takim me familjarë të të vrarëve por dhe qytetarë Berisha e konsideron Nelën si një prej figurave më të shquara që la gjurmë në historinë e letërsisë.
“Havzi Nela është dëshmi e fundit mbasi ai u var si sot 34 vite më parë në sheshin qendror të qytetit të Kukësit, dëshmi kryesore se Enver Hoxha ishte një Hitler i vërtetë të pasluftës së dytë botërore. I tillë në këtë altar pushon poeti Havzi Nela, i cili qëndroi i pamposhtur dhe përdori vargun e tij për të qëndruar njeri.”
Për liderin historik të së djathtës, poetët e pushkatuar nga regjimi i diktaturës së Enver Hoxhës, janë shenjtorët e letrave shqipe.
“Për kulturën tonë e cila është s’bashku me gjuhën filli më kryesor i identiteti tonë, qenies tonë si shqiptar, Havzi Nela, Vilson Blloshmi dhe të gjithë ata të cilët u sakrifikuan për të vërtetën e krijimit të tyre, nuk e pranuan zhdanovizmin si një rrymë e përçudnimit të kulturës në letra. Ata janë shenjtorë të kulturës dhe letrave tona. Ndaj me vetëdije të plotë se kemi bërë pak për ti vendosur ata në piedestalin ku e meritojnë le ti nderojmë sot Havzi Nelën, me zotimin se do të bëjmë gjithçka që ata të marrin vendin e merituar në kulturën, letrat shqiptare, si heronj dhe martisë të fjalës së lire.”
Berisha gjithashtu përsori tone të ashpra jo vetëm ndaj regjimit por dhe ndaj udhëheqësit të asaj kohe, Enver Hoxhës.