Keith Self është emëruar kryesues i nënkomitetit për Evropë në Komitetin për Politikë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Self është përkrahës i shtetit të Kosovës, e këtë e kishte shfaqur disa herë.
Si kongresist, ai e kishte kritikuar ish-emisarin amerikan, Gabriel Escobar, mbi qasjen e tij ndaj Kosovës.
Sipas tij, Escobari ishte treguar jokonsistent mbi deklaratat e tij, duke shtruar pyetjen pse nuk ishte sanksionuar Serbia.
“Dëgjoj një lloj jonkonsistence. Ju keni qenë në anën e Kosovës në çdo moment, kështu thatë. Por, që tani po shohim një qasje më të balancuar. Por nuk ka dyshim që Vuçiqi ka nxitur bojkotimin e zgjedhjeve të Kosovës, nuk ka kurrfarë dyshimi në këtë. Në diçka nuk jam fort i sigurt, më duket se Serbia i ka vonuar pak zgjedhjet e veta për shkak të zgjedhjeve në Kosovë.”.
“Kjo nuk është Ukraina, por është në kufi të NATO-s. Serbia dhe Rusia janë të rrethuara nga shtetet e NATO-s dhe kjo mund të jetë më shumë rrezik në kuptimin e përhapjes së dhunës. Nuk jam fort i qartë pse nuk kemi sanksione ndaj Serbisë sot sepse kanë importuar armatim të rëndë nga Rusia që nga viti 2017, që është dashur të çonte drejt sanksioneve në kuptimin e luftimeve të kundërshtarëve të Amerikës me anë të sanksioneve në vitin 2017. Po ju pyes juve pse jo?” ishte shprehur ai në korrikun e 2023-s.
Atëbotë, Escobar ishte shprehur se zyra e tij nuk merret me sanksione.
Për marrjen e detyrës Kurti e ka uruar zyrtarin amerikan, duke u shprehur se mezi pret të bashkëpunojë me të në forcimin e partneritetit.
“Të uroj Keith Self për emërimin tuaj si kryesues i nënkomitetit për Evropë në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve. Mbështetja juaj për demokracinë dhe sigurinë rajonale vlerësohet lartë. Ne mezi presim të forcojmë partneritetin tonë”, ka thënë Kurti të enjten në rrjetin social X.
Burimi: botasot.info