Mazhoranca socialiste përjashtoi sot 6 deputetë të Partisë Demokratike, të cilët bllokuan foltoren e kuvendit në seancën e së enjtes.
Sekretariati për etikën vendosi përjashtimin me 10 ditë të deputetëve Edmond Spaho, Oerd Bylykbashi, Sorina Koti e Elda Hoti. Ndërsa deputetja Lindita Metalia u përjashtua 5 ditë dhe 3 ditë Greta Bardelli.
Por strategjia e mazhorancës për të përjashtuar deputetët e opozitës duket se nuk do të ndryshojë asgjë në aksionin e opozitës, për të bllokuar punimet e kuvendit.
Do protestojmë edhe në seancën e rradhës. Por i bie të protestosh kot sepse ai është duke bërë lufta me shpata në Japoni. Koçi i Teto Ollgës po bën luftë me shpata në Japoni, edhe këtë javë na mbetet të protestojmë me bilbila
Sipas rregullores së kuvendit, vendimi për përjashtimin e deputetëve duhet të merret brenda 48 orëve nga depozitimi i kërkesës. Meqenëse kërkesa është depozituar në datën 17, masat disiplinore duhet të ishin vendosur deri në 19 shkurt.
Por për dy mbledhje me radhë, sekretariati e ka shkelur këtë nen të rregullores, duke dënuar deputetët që të mungojnë për dy seanca në kuvend.
Në këtë situatë, në seancën e së enjtes do të mungojnë 8 deputetë demokratë, pasi për kreun e PD, Berisha dhe sekretarin e përgjithshëm Noka, ende nuk ka përfunduar masa për përjashtim.
Nga fillimi i vitit, mazhoranca socialiste ka përjashtuar 23 deputetë demokratë, me arsyetimin se kanë bllokuar foltoren e kuvendit.