​Përhapja e propagandës ruse – Gjykata Evropiane konfirmon ndalimin e transmetimit për RT France

min lexim

Gjykata Evropiane në Luksemburg ka konfirmuar vendimin e Bashkimit Evropian për ndalimin e transmetimit të medias shtetërore Russia Today – RT France.

Kjo masë ishte vendosur në muajin mars për shkak të përhapjes së dezinformatave dhe propagandës të Kremlinit në lidhje me pushtimin e paprecedent rus të Ukrainës.

“Dhoma e Gjykatës së Përgjithshme refuzon kërkesën e RT France për anulimin e akteve të Këshillit, të miratuara pas nisjes së luftës në Ukrainë, e cila e ndalon përkohësisht organizatën të transmetojë përmbajtjen e saj”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, sipas Gjykatës vendimi i saj bazohej në faktin se sanksionet ishin të përkohshme dhe konstatoi se ato ishin “të përshtatshme dhe të nevojshme për objektivat e ndjekura” duke pasur parasysh “kontekstin e jashtëzakonshëm”.

Shumë gazetarë të huaj janë larguar nga Rusia dhe një numër i mediave kanë pezulluar operacionet e tyre pasi autoritetet në Moskë vendosën dënime me burg deri në 15 vjet për përhapjen e “lajmeve të rreme” për ushtrinë ruse.

Si pjesë e një pakete të gjerë të sanksioneve kundër Kremlinit për shkak të pushtimit të Ukrainës në mars, Bashkimi Evropian pezulloi transmetimin e mediave ruse Sputnik dhe RT.

Më 30 mars, Gjykata Evropiane hodhi poshtë gjithashtu kërkesën e transmetuesit rus RT të kontrolluar nga Kremlini për të hequr përkohësisht ndalimin e transmetimeve në gjuhën franceze.

Russia Today, e cila financohet nga Rusia, u themelua në vitin 2005 dhe ka faqe interneti në shumë gjuhë, duke përfshirë anglisht, frëngjisht, spanjisht dhe arabisht.

Kanali është i ndaluar në disa vende, duke përfshirë ish-republikat sovjetike të Lituanisë dhe Letonisë.

Në Shtetet e Bashkuara iu kërkua të regjistrohej si agjent i huaj dhe autoritetet britanike ia hoqën licencën e transmetimit.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Lirinë do t`jua u sjell unë…. që do të jap dhe jetën aty midis jush!

Story i radhës

Alderweireld pret që Drita të sulmojë

Të fundit nga