Pano Soko, drejtuesit i Nismës Thurje, e cila ka denoncuar koncesionin e sterilizimit ka zbërthyer sot në rubrikën “Opinion” në News24 kontratën e sterilizimit të pajisjeve spitalore dhënë privatit dhe “faljen” praktikisht të qendrës shtetërore ku kryhej më parë ky shërbim.
Soko e cilësoi të vonuar hetimin e SPAK, duke theksuar se çdo muaj vonesë sjell humbjen e parave. Ai theksoi se përgjegjësia duhet të shkojë më lart, te ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja dhe pyeti se çfarë ka diskutuar kryeministri Edi Rama në Këshillin e Ministrave për këtë kontratë koncesionare, për të cilën thotë se rriti kostot me 80 herë, raporton “BalkanWeb”.
“Hetim i vonuar? Po! Pse duam të bëhen shpejt hetimet. Sepse për çdo ditë apo çdo muaj vonesë të hetimit ne vazhdojmë paguajmë para. Nuk është problemi se u vonua gjykimi i një çështjeje që ka efekte të vazhdueshme, problemi është se nëse nuk hetojmë shpejt ne humbasim shumë para, siç ka ndodhur. Synimi jonë është të arrijmë të bllokojmë sa më shumë para që të mos shkojnë në këtë shërbim të njollosur nga një efekt penal dhe e kemi më të lehtë të kthejmë paratë.
Ato para të cilat janë keqpërdorur, janë abuzuar, janë vjedhur, të gjenden dhe të kthehen mbrapsht në buxhetin e shtetit, duke sekuestruar llogaritë bankare, asetet që janë grumbulluar, që janë blerë, shtëpi, prona, makina. Prandaj ne kërkojmë që hetimi duhej të ishte bërë më shpejt. Janë tre vjet e gjysmë nga denoncimi ynë në 2019. Kemi humbur disa dhjetëra mijë euro gjatë kësaj kohe”, tha Soko.
Ai deklaroi më tej se ish-ministri Beqja nuk mund të lihet jashtë.
“Ne kemi kërkuar vënien para përgjegjësisë të gjithë zinxhirit komandues që ka marrë vendimin për këtë. Lënia jashtë e ministrit, anomali që duhet rregulluar sa më shpejt. Edhe Gjykata shprehur reagimin e saj për lënien jashtë të Beqjas. Nuk mund ta lësh jashtë. Unë besoj se duhet të shkojë dhe më lart se sa zoti Beqja. Kontratat koncesionare diskutohen në këshillin e ministrave.
Unë dua të di çfarë ka thënë kryeministri për dhënien falas të qendrës së sterilizimit një privati. Ky është një nonsens logjik ashiqare. Duket hapur që ka abuzim. Çfarë ka thënë kryeministri për këtë? Ky kryeministër që i ka pensionistët me 150 mijë lekë të vjetra dhe e ka ndihmën ekonomike me 50 mijë lekë të vjetra. Çfarë ka thënë kryeministri që kostoja e sterilizimit kushtonte 50 lekë të reja për një set përpara koncesionit dhe po shkonte 200-300 euro për një set.
Nëse nuk e ka diskutuar këtë një kryeministër për çfarë është aty?! Nëse e kanë diskutuar të dalë para shqiptarëve. Tua thotë pensionistëve dhe atyre me ndihmë ekonomike se e vendosa se kështu e gjykova.
Përgjegjësia nuk mbaron këtu. Nuk pres që një kryeministri të rrahë njerëz, as të fusë duart tek arka dhe të marrë para, kështu e shpërdoron detyrën.
Nëse ky koncesion, ky shërbim për t’u mbuluar është prioritar, a duhet a s’duhet e vendos maxhoranca që ka marrë votat. Unë e kam diskutimin në parim. Prioritetet i vendos qeveria. Për mua sterilizimi i mjeteve mjekësore duhet të ishte nga fundi. Kemi probleme shumë më të mëdha në mjekësi.
Normalisht do të gjykoja që 100 mln euro që m’i kërkonte kontrata koncesionare do t’i shpërndaja në shërbime të tjera në mjekësi.
Aritmetika me të cilat përdorim paratë e taksave është e njëjtë për të gjithë.
Kur abuzimi është me dashje, është korrupsion, këtu është përgjegjësia që ka qeveria”, tha Soko.
Teksa deri tani janë paguar 76 mln euro për koncesionin, ai kujtoi se shteti i dha privatit qendrën e sterilizimit të ndërtuar me 1 mln euro falas. Ai sqaroi se shërbimi që kushtonte 250 mijë euro në vit, në vitin e tretë mori 17 mln euro, një rritje 80 herë më e madhe.
“Sterilizimi është një proces që kryhet gjithë jetën. Nuk mund të kryhet procedura spitalore pa sterilizimin. Është kryer dhe më para. A ka pasur probleme, por ka pasur. Por të pasurit probleme me procesin e sterilizimit nuk është një biletë për të përdorur pa hesap paratë publike.
Këtë qendër sterilizimi të ndërtuar me 1 mln euro ne ia dhamë falas kompanisë. Në momentin kur procesi bëhej nga spitalet, shteti shqiptar paguante 250 mijë euro.
Kur u dha me koncesion, në vitin e tretë të koncesionit shkoi 17 mln euro, 1.7 mld lekë. Është 80 herë më e madhe rritja. Kjo është arsyeja që na detyroi të lëviznim. Nga pikëpamja buxhetore më ra në sy që kostoja e një shërbimi që më para nuk kishte zë, u rrit në mënyrë eksponenciale.
Këto 17 mln euro prodhoheshin nga qendra e sterilizimit që ishte ngritur me lekët e taksave. Qendrën ia dhamë ne falas për gjithë kohën e koncesionit”, tha Soko.
Por më e rënda, sipas tij ishte reduktimi i operacioneve, për shkak se spitalet nuk mund të paguanin kostot e caktuara nga vetë shteti për sterilizimin e pajisjeve spitalore.
“Për shkak të kostove të larta buxheti i spitaleve ishte i pamjaftueshëm, nuk kishim lekë për tarifat që ia lamë vetë te kontrata. Nuk kishin para që për çdo operacion të blinin setet e reja. Ne në vend të rishikonim tarifat, u mor vendimi të ulej numri i operacioneve, pati kufizime. 1000 operacione në muaj. Çfarë ndodh me të tjerët? Ky ishte problemi më i madh. Ky është një problem që të irriton nga pikëpamja njerëzore. Shumë mjekë për humanizmin e tyre vendosën që pajisjet e tyre t’i sterilizonin fshehtas. Nëse e merrte vesh koncesionari, humbte 100-200 euro. Kjo ishte ajo që na goditi shumë”, tha ai.
Soko theksoi se pagesa duhet të stopohet dhe procesi duhet t’i kthehet metodës së vjetër.
“Marrja e koncesionit nga institucionet shtetërore dhe vazhdimi i operimit nga institucionet shtetërore.
Kontrata koncesionare parashikonte 10 mln euro në vit, por u la e hapur. Ndodhte që tarifat e shërbimit të koncesionarit shkuan deri 17 mln euro në vit. Çka do të thotë se vlera e koncesionit nuk do të ishte 100 mln euro, por mund të dyfishohej deri në fund, të shkonte 200 mln euro. Lënia e tavanit të hapur është një nga shkeljet që është bërë në këtë kontratë. Është lënë hapur kastile”, u shpreh ai.
Sa i përket debatit për kontratën origjinale të koncesionit, për të cilën u tha se ishte zhdukur, Soko e cilësoi absurdin më të madh.
“Shteti po jep lekë me fotokopje. Duke mos pasur kontratën origjinale, qeveria dhe thesari po japin lekë me fotokopje? Papërgjegjshmëria vjen se këtu këta kanë ndërtuar një sistem të gjithë që ia lejon vetes të besojnë se janë të paprekshëm. Kanë besuar se janë të paprekshëm. Kjo është ajo që po ndodh sot dhe po hapen petët e lakrorit të turpit të administratës shqiptare. Do të ketë emra të tjerë besoj. Beqja? Besoj do të jetë patjetër. Është koha për SPAK-un të reflektojë kërkesën e gjykatës”, përfundoi Soko.