I zhdukur nga qarkullimi që prej dhjetorit 2018, kur shkarkua drejtimi i Southamptonit, uellsiani Mark Hughes (58 vjeç) gjen punë po në Angli.
Ish-trajneri i Uellsit (1999-2004), i cili më pas stërviti për 14 vjet në Premier League, nga viti 2004 në 2018 (Blackburn, Manchester City, Fulham, QPR, Stoke, Southampton), do të drejtojë një skuadër të League 2, pra të nivelit të katërt të futbollit anglez. Bëhet fjalë për Bradfordin, aktualisht në vendin e 15-të në kampionat.
Ish-sulmuesi i Manchester United (kampion i dyfishtë i Anglisë në vitet 1993 dhe 1994) zëvendëson Derek Adams. Ai ka nënshkruar deri në vitin 2024. Ai është trajneri i tetë që merr frenat e këtij ekipi në katër vjet.
Kujtojmë që Mark Hughes ishte trajneri i parë i epokës së sheikut Mansur te Manchester City, në periudhën 2008-2010, kur kishte në urdhrat e tij emra të mëdhenj si Robinho, Wright Phillips, Carlos Tévez, Kolo Touré apo Adebayor.