Ka një javë që kur autobusët e linjës Podujevë-Prishtinë filluan grevën para Komunës së Prishtinës. Kjo situatë ka bërë që shumë qytetarë të Komunës së Podujevës, për një javë rresht, të mbesin pa transport. Gjatë ditës është arritur një marrëveshje mes grevistëve dhe Komunës së Prishtinës.
Bashkim Bunjaku shumë shpesh udhëton për në Prishtinë. Por ka një javë që ai dhe shumë qytetarë të Podujevës, mbeten pa transport si shkak i grevës së autobusëve të linjës Prishtinë – Podujevë. E vetmja zgjidhje që u ka mbetur, thonë se janë takistë ilegale, për të cilët thonë se i kanë shtrenjtuar shërbimet.
“Është shumë problematike, shpenzimet e mëdha. Nga katër euro po na marrin taksitë, 80 cent autobusi deri në Lluzhan. Janë 75 fshatra, ka nxënësa, punëtor. Edhe punën një i afërm e ka humb. Une nuk kom pas kurrë as leje as makinë, vetëm autobusin e shfrytëzoj”, thotë Bashkim Bunjaku, udhëtar.
Edhe qytetarë të tjerë nga Podujeva kërkuan zgjidhje sa më shpejt të situatës.
”Për qytetarët është e dëmshme për arsye se dy herë detyrohen të paguajnë biletat. Nga Prishtina hypin në autobusin lokal, paguajnë dy herë. Qytetarët dëmtohet dy herë. Është e padrejtë”, thotë një qytetar tjetër.
“Mesazhi im është mu fillua punën autobusët, dikujt ja vështirëson shumë. Unë jam pensionist kam kohë, dikush punon”, shtonë një tjetër qytetar.
Përderisa qytetarët e Podujevës kanë mbetur pa transport, autobusët e linjës Podujevë-Prishtinë ka një javë që kanë hyrë në grevë si shkak i vendimit të Komunës së Prishtinës, i cili ua ndalon atyre hyrjen në qytet dhe obligon që ata të parkohen në Stacionin kryesor të Prishtinës.
Kurse të mërkurën gjatë ditës ata përfunduan grevën pas një takimi e cila rezultoi më një marrëveshje mes palëve ku u vendos që linja të kalojë nga rruga e Zagrebit, përmes Pallatit të Rinisë, stacionit të trenit dhe më pas stacionit të autobusëve në Prishtinë.
Burimi: botasot.info