Të dërguarit nga Finlanda dhe Suedia pritet që më 25 maj të takohen në Ankara me zyrtarët turq për të biseduar lidhur me aplikimet për anëtarësim në NATO të këtyre dy shteteve nordike, tha të martën ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto.
Turqia kundërshton anëtarësimin e Stokholmit dhe Helsinkit në aleancën ushtarake të NATO-s.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili ka shprehur publikisht kundërshtimin e tij për bashkimin e Finlandës dhe Suedisë në aleancën ushtarake, ka zhvilluar biseda telefonike më 21 maj me liderët e dy shteteve me të cilët ka biseduar për shqetësimet e tij.
“Ne po dërgojmë delegacionin tonë që të vizitojë Ankaranë, në fakt do të shkojnë delegacionet e Suedisë dhe Finlandës. Kjo do të ndodhë nesër, pra dialogu po vazhdon”, tha Haavisto gjatë një paneli diskutimi në Forumin Ekonomik Botëror, në Davos të Zvicrës.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se ai është kundër anëtarësimit të dy shteteve nordike për shkak të, siç është shprehur ai, mbështetjes “për organizata terroriste”, një referencë për grupin e ndaluar, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit dhe Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG) në Siri.
“Ne e kuptojmë se Turqia ka disa prej shqetësimeve të saj të sigurisë që lidhen me terrorizmin… Ne mendojmë se këto çështje mund të zgjidhen. Mund të ketë edhe çështje të tjera që nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me Finlandën dhe Suedinë, por më shumë me anëtarët e tjerë të NATO-s”, tha Haavisto.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha më 24 maj se ai ishte i bindur që NATO-ja do të jetë në gjendje të pranojë Suedinë dhe Finlandën si anëtare të reja.
Stoltenberg tha në Davos se pushtimi i paprovokuar i Ukrainës i urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin, i është kthyer si bumerang, pasi ka çuar në rezultatin e kundërt që ai dëshironte të arrinte.
“Ai dëshironte më pak NATO në kufijtë e tij dhe nisi një luftë. Tani ai po përballet me më shumë NATO në kufijtë e tij dhe më shumë anëtarë”, tha Stoltenberg./REL