Përfaqësuesi i SHBA në KS të OKB: Asociacioni në përputhje me Kushtetutën e Kosovës

min lexim

Përfaqësuesi i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit, Jeffrey DeLaurentis, u shpreh i kënaqur me hapat e ndërmarrë nga Kosova dhe Serbia në takimet e fundit mes liderëve në Bruksel dhe Ohër, ndërsa shtoi se shpreson që të shohë vullnet të ngjashëm edhe në takimin e radhës të 2 majit.

“Ne i inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë të lëvizin shpejt për t’i implementuar zotimet e tyre përkatëse dhe t’i shmangin krizat e përsëritura që e kanë penguar progresin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, tha DeLaurentis.

Ai kërkoi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “në një mënyrë që përputhet me Kushtetutën e Kosovës”.

Ndërsa, përfaqësuesit e Britanisë së Madhe dhe Francës shprehën përkrahje për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Franca bëri thirrje që të dyja palët të përmbahen nga veprimet që mund t’i përshkallëzojnë tensionet mes dy vendeve.

Reklama

Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe theksoi se “ne e përkrahim plotësisht përfshirjen e Kosovës në sistemin ndërkombëtar”, ndërsa bëri thirrje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ne i inkurajojmë fuqishëm të dyja palët të demonstrojnë vullnetin dhe kurajën politike për t’i realizuar ato për të cilat janë pajtuar”, tha ai.

Në raportin për periudhën nga 16 shtatori 2022 deri më 18 mars 2023 për Kosovën, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres përshëndeti Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksin e zbatimit të saj, për të cilin liderët e të dyja palëve së fundi arritën marrëveshje.

Guterres, në raport, vlerësoi se korniza e re e dialogut ka potencial për të çuar para procesin drejt arritjes së zgjidhjeve afatgjata.

Ai tha se angazhimi konstruktiv në zbatimin gjithëpërfshirës të Marrëveshjes do të jetë i nevojshëm për të ruajtur stabilitetin dhe për të parandaluar ripërtëritjen e tensioneve dhe konflikteve. 

Story i mëparshëm

Einxhel Shkira flet për depresionin post-partum dhe ka një këshillë për të gjitha nënat e reja

Story i radhës

Përfaqësuesja e Kosovës nuk u lejua të flasë shqip, kundërshtohet nga diplomati rus, ndërhyn ambasadori i Shqipërisë në OKB

Të fundit nga