Përfaqësuesi i Koresë së Veriut në OKB mohon dërgimin e trupave në Rusi

October 22, 2024
min lexim

Koreja e Veriut nuk ka dërguar ushtarë në Rusi për të ndihmuar Moskën në luftën kundër Ukrainës. Kështu tha një nga përfaqësuesit e Phenianit në Kombet e Bashkuara, duke i cilësuar pretendimet e Seulit si “thashetheme të pabaza”.

Agjencia e spiunazhit e Koresë së Jugut deklaroi javën e kaluar se Veriu ka kryer një dislokim të madh të trupave për të ndihmuar Rusinë, duke pretenduar se Pheniani veçse ka dërguar 1.500 pjesëtarë të forcave speciale për trajnime në Lindjen e Largët të Rusisë, të cilët më pas do të nisen për në vijat e frontit në luftën në Ukrainë.

Sa i përket të ashtuquajturit bashkëpunim ushtarak me Rusinë, delegacioni im nuk e ndien të nevojshme të komentojë për këto thashetheme të pabaza”, tha përfaqësuesi i Koresë së Veriut në një takim të një komiteti gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Pretendimet e Seulit “synojnë njollosjen e imazhit të Koresë së Veriut dhe të minojnë raportet legjitime, miqësore dhe bashkëpunuese midis dy shteteve sovrane”, tha ky përfaqësues i Phenianit në një mbledhje të mbajtur në orët e vona të 21 tetorit në Nju Jork.

Pheniani dhe Moska janë aleatë që kur u krijua Koreja e Veriut pas Luftës së Dytë Botërore dhe dy shtetet janë afruar edhe më shumë që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Seuli dhe Uashingtoni për një kohë të gjatë kanë pretenduar se udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, po dërgon armë që përdoren në Ukrainë.

Media shtetërore e Koresë së Veriut nuk ka komentuar lidhur me pretendimin e Jugut për dislokimin e trupave. As Rusia nuk ka komentuar për këtë gjë, por ka mbrojtur bashkëpunimin ushtarak që ka me Phenianin.

Pasi Seuli thirri në bisedë ambasadorin rus në Korenë e Jugut për të shprehur shqetësimet, i dërguari tha se “bashkëpunimi mes Rusisë dhe Koresë së Veriut nuk është kundër interesave të sigurisë të Koresë së Jugut”.

As NATO-ja, as Shtetet e Bashkuara nuk kanë konfirmuar se një dislokim i tillë i ushtarëve ka ndodhur, por kanë paralajmëruar se një gjë e tillë do të paraqiste një përshkallëzim të rrezikshëm në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Kemi parë raportime se Koreja e Veriut ka dërguar forca dhe po përgatitet të dërgojë ushtarë shtesë në Ukrainë për të luftuar përkrahë Rusisë”, tha Robert Wood, ambasadori amerikan në OKB, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit.

Nëse këto raportime dalin të jenë të vërteta, atëherë do të paraqisnin një zhvillim të rrezikshëm dhe shqetësues dhe qartësisht thellim të bashkëpunimit ushtarak mes Koresë sëë Veriut dhe Rusisë”, tha Wood.

SHBA-ja dhe aleatët e saj veçse kanë shprehur shqetësim lidhur me ofrimin e armëve nga Koreja e Veriut për Rusinë.

Më 22 tetor, agjencia e lajmeve Yonhap raportoi se Qeveria në Seul po e shqyrton mundësinë që të dërgojë një ekip në Ukrainë për të monitoruar dislokimin e ushtarëve të Koresë së Jugut, tha një burim nga Qeveria.

Sipas këtij burimi, në këtë ekip do të përfshihej personeli ushtarak nga divizionet e inteligjencës dhe ekipi do të analizonte strategjitë në fushëbetejë të Koresë së Veriut dhe do të merrte pjesë në marrjen në pyetje të të burgosurve të luftës.

Kjo agjenci e lajmeve po ashtu tha se në llogaritë proruse në Telegram janë publikuar fotografi që shfaqin flamuj të Rusisë dhe Koresë së Veriut në fushëbetejën në Ukrainë./REL

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Kështu e konfirmon Juliana Nura lidhjen e re

Story i radhës

Të kërkosh shpesh falje në punë a është një shenjë dobësie?

Të fundit nga

ShkoLartë