Përdorimi i bojës së dukshme, AIP i drejtohet KQZ’së: Mosrespektimi i rekomandimeve do të pasohet me masa ligjore, përfshirë gjoba

December 2, 2024
min lexim

Agjencia për Informim dhe Privatësi i është drejtuar sërish Komisionit Qendror të Zgjedhjeve sa i përket vendimit të këtij të fundit për përdorimin e ngjyrës matrikuluese për shënjimin e votuesve. AIP ka thënë se mosrespektimi i rekomandimeve të tyre do të pasohet me masa ligjore, duke përfshirë edhe gjoba për çdo ankesë të parashtruar nga qytetarët lidhur me bojën e dukshme. Media ua sjell letrën e plotë.

Agjencia për Informim dhe Privatësi i është drejtuar së fundmi edhe me një shkresë tjetër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me çështjen e shënjimit të votuesve me ngjyrë matrikuluese (të dukshme).

“Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), në bazë të mandatit të saj ligjor dhe kompetencave që rrjedhin nga Ligji Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (LMDhP) dhe akteve të tjera në fuqi, ju rikujton se mosveprimi sipas rekomandimeve të cilat i kemi dërguar më datë 11/09/20224, lidhur me vendosjen dhe përdorimin e ngjyrës matrikuluese gjatë procesit të votimit, paraqet një shkelje të të drejtave të privatësisë dhe të mbrojtjes së të dhënave personale të subjekteve të të dhënave personale. Sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, çdo institucion publik, përfshirë Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), ka obligimin që të sigurojë përputhshmërinë e proceseve që përdor në organizimin e zgjedhjeve me parimet bazë të privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale. Më konkretisht, përdorimi i ngjyrës matrikuluese për identifikimin e votuesve mund të paraqesë një ndërhyrje të paautorizuar në të drejtat e tyre për privatësi.”

Në shkresën që e ka parë media, AIP i ka thënë KQZ’së se mosrespektimi i rekomandimeve të tyre do të pasohet me masa ligjore, duke përfshirë edhe gjoba për çdo ankesë të parashtruar nga qytetarët lidhur me bojën e dukshme.

Në kuadër të këtyre shqetësimeve, ju rikujtojmë se mosrespektimi i rekomandimeve tona do të pasohet me masa ligjore, përfshirë vendosjen e gjobave për çdo ankesë të parashtruar nga qytetarët lidhur me këtë praktikë. Çdo vendim që Agjencia do të marrë mbi një ankesë, do t’i japë qytetarit të drejtën të hapë padi civile në gjykatë për kompenzim të dëmit të përcaktuar në nenin 56 të LMDhP-së.”

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka shtuar se “KQZ rrezikon të përballet me pasoja financiare për shkak të vendimeve negative që mund të pasojnë nga mosrespektimi i ligjit”.

“Në bazë të dispozitave ligjore të LMDhP-së në të cilën parashihet masat ndëshkuese, KQZ-ja rrezikon të përballet me pasoja financiare për shkak të vendimeve negative që mund të pasojnë nga mosrespektimi i ligjit. Një gjë e tillë jo vetëm që do të dëmtojë buxhetin e institucionit tuaj, por njëkohësisht do të ndikojë negativisht edhe në buxhetin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës. Siç jeni të vetëdijshëm, vendimet për dëme financiare të cilat rrjedhin nga vendimet e gjykatave civile janë të ekzekutueshme dhe krijojnë detyrime të drejtpërdrejta financiare për institucionet shtetërore.”

Agjencia ka kërkuar edhe një herë që ta rishikojë praktikën e ngjyrës matrikuluese, duke thënë se kjo do të mbrojë të drejtat e qytetarëve dhe shmangë rreziqet e panevojshme për KQZ’në dhe financat publike.

Agjencia ju inkurajon të rishikoni praktikat aktuale dhe të veproni në përputhje me rekomandimet e dhëna, duke siguruar që çdo veprim i mëtejshëm të jetë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kjo jo vetëm që do të mbrojë të drejtat e qytetarëve, por gjithashtu do të shmangë rreziqet e panevojshme për KQZ-në dhe për financat publike. Nëse kërkohet ndonjë sqarim apo mbështetje në zbatimin e rekomandimeve, Agjencia është e gatshme të ofrojë asistencë teknike dhe juridike për të garantuar përputhshmërinë me ligjin.”

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

BDI: Standardet e dyfishta dhe hipokrizia e kësaj qeverie nuk kanë fund

Story i radhës

Ekzekutimi në Ndroq/ Viktima u ngrit në këmbë t’i jepte dorën, por kunati i Altin Hajrit e qëlloi me dy plumba – kush ishte Daku dhe njohja me autorin

Të fundit nga

ShkoLartë