Pas vitesh pune, një përditësim masiv i Ethereum njohur si the Merge tashmë është live duke e zhvendosur bërthamën e kriptomonedhës së dytë më të madhe në botë drejt një sistemi më efikas në konsumin e energjisë.
Ishte një ndryshim i vogël në blockchain, duke kaluar nga sistemi “proof-of-work” në sistemin “proof-of-stake.” Është njëlloj si të ndryshohet motori i një makine në ecje.
Përfitimet janë kolosale. Ethereum tashmë duhet të konsumojë 99.9 përqind më pak energji. Për ta vënë në perspektivë është njëlloj sikur një vend si Finlanda të ndalonte plotësisht furnizimin me energji.
Zhvilluesit e Ethereum thonë se përditësimi do ta bëjë rrjetin, i cili ka një ekosistem bursash, kompanish, NFT, tregjesh e aplikacionesh të tjera me vlerë mbi 60 miliardë dollarë, më të sigurtë dhe shkallëzuar.
Ishte e pashmangashme që një ditë Ethereum të kalonte në sistemin “proof-of-stake.” Por ky tranzicion ishte një përpjekje teknike e komplikuar dhe me rreziqe që shumë frikësoheshin se mund të bëhen realitet.
Kur the Merge filloi të implementohej, mbi 41 mijë njerëz ishin në YouTube në “Ethereum Mainnet Merge Viewing Party.” Ata shikuan duke mbajtur frymën ndërsa indikatorët tregonin se sistemet kyçe të Ethereum kishin ngelur të paprekura. Pas 15 minutash të gjata, the Merge ishte implementuar dhe u deklarua një sukses.
Përditësimi i cili i jep fund mbështetjes në një proces që konsumon sasi të mëdha energjie për gërmimin e kriptomonedhave, është ndjekur nga afër nga investitorët crypto, entuziastët dhe skeptikë për impaktin që pritet të ketë në industrinë e blockchain.
Mark Cuban, një investitor dhe miliarder pronar i Dallas Mavericks, tha se kishte ndjekur the Merge me po aq interes sa gjithë të tjerët.
Pak minuta pasi u implementua the Merge, vlera e Ether ra në 1,632 dollarë ose 0.4% më poshtë sesa 24 orët e fundit.
Lamtumirë Gërmuesve
Në 2008-ën Bitcoin prezantoi për botën idenë e një regjistri të decentralizuar, një regjistër i vetëm dhe imun transaksionesh që kompjuterët në mbarë botën mund ta shikonin, plotësoni dhe besonin pa pasur nevojë për palë të ndërmjetme.
Ethereum mbërriti në 2015-ën duke zgjeruar konceptet bazike rreth Bitcoin me kontratat inteligjente ose programe kompjuterike të cilat përdorin blockchain si një superkompjuter global për të regjistruar të dhënat në rrjetin e tij. Ky inovacion ishte përbërësi jetik i financave të decentralizuara (DeFi) dhe NFT-ve.
The Merge largon sistemin “proof-of-work” ku gërmuesit e kriptomonedhave konkurronin për të shkruar transaksionet në regjistër dhe fituar shpërblimin, duke zgjidhur probleme matematikore.
Shumica e gërmimit të kriptomonedhave sot ndodh në “ferma”, të cilat mund të përshkruhen edhe si fabrika. Foto të rafteve masive me rreshta kompjuterësh vendosur njëri mbi tjetrin sikur të ishte një librari, secili prej kompjuterëve pomponte kriptomonedha.
Ky sistem erdhi me Bitcoin, dhe arsyeja pse Ethereum gjithashtu konsumonte kaq shumë energji dhe një prej arsyeve pse kriptomonedhat shihen si kërcënim për mjedisin.
Mirëserdhët aksionarë
Sistemi i ri i Ethereum, “proof-of-stake” largohet plotësisht nga gërmimi. Gërmuesit janë zëvendësuar nga vlerësues, njerëz të cilët dërgojnë të paktën 32 ETH në një adresë në rrjetin Ethereum ku nuk mund të blihen as shiten.
Këto ETH shërbejnë si bileta lotarie: sa më shumë ETH që një vlerësues të dërgojë, aq më e madhe mundësia që një prej biletave të tij të tërhiqej dhe dhënë mundësi atij të shkruaj një bllok transaksionesh në regjistrin dixhital të Ethereum.
Ethereum prezantoi një rrjet “proof-of-stake” në 2020-ën quajtur Beacon Chain por derisa erdhi the Merge ishte vetëm një eksperiment për vlerësuesit të cilët do të kalonin në sistemin e ri. Tranzicioni i Ethereum në “proof-of-stake” ishte shkrirja e Beacon Chain me rrjetin kryesor të Ethereum.
Incentiva të reja
Në vend që një pjesë e vetme e softueri open-source, Ethereum mund të konsiderohet si një vend, një organizëm ti cili mbledh bashkë kompjutera të cilët flasin të njëjtën gjuhë me njëri-tjetrin duke ndjekur një set rregullash.
Sisitemi i ri i Ethereum sjell incentiva të reja për njerëzit që operojnë këta kompjuterë që ndjekin rregullat e reja duke siguruar regjistruesin nga ndërhyrje të padëshiruara.
“Proof-of-work” është një mekanizëm ku merrni resurset fizike dhe i konvertoni në siguri për rrjetin. Nëse dëshironi që një rrjet të jetë sa më i sigurte, duhet sa më shumë resurse fizike. Në rrjetet “proof-of-stake” resurset financiare përdoren për tu konvertuar në siguri.
Edhe pse Ethereum ka mijëra gërmues individualë të cilët operojnë dhe sigurojnë rrjetin proof-of-work, kompjuterët vetëm nga tre grupe gërmimi dominojnë shumicën e hashrate që është një indikator i fuqisë kolektive gërmuese.
Nëse firmat e mëdha të gërmimit Ethereum marrin pjesën më të madhe të hashrate, ata mund të ekzekutonin sulmin e ashtuquajtur 51% duke e bërë të vështirë për këdo tjetër që të përditësojë regjistrin.
Në rrjetet proof-of-stake, sasia e ETH që dikush vendos, jo sasia e energjisë që dikush shpenzon, dikton edhe kontrollin mbi rrjetin. Kjo i bën sulmet më të kushtueshme dhe vetëshkatërruese sepse sulmuesit mund të shohin ETH që kanë vendosur të përgjysmohen ose reduktohen si dënim për përpjekjet e dëmtimit të rrjetit.
Jo të gjithë mbështetin sistemin e ri. Nuk ka pasur sinjale se Bitcoin do të braktisë ndonjëherë sistemin proof-of-work. Edhe pse rrjeti Ethereum nuk do të jetë më i përqendruar në duart e disa sindikatave, kritikët thonë se sistemi i ri proof-of-stake do të krijojë lojtarë të rinj dominues. Shembull mund të jetë një komunitet vlerësuesish që kontrollojnë 30% të Ethereum. Coinbase, Kraken dhe Bianance, tre bursat më të mëdha të kriptomonedhave, kontrollojnë 30% të pjesës së rrjetit.
Skepticizmi rreth proof-of-stake bëri që një gërmues i famshëm Chandler Go, të njoftonte krijimin e një versioni të sistemit të vjetër proof-of-work të Ethereum.
Çfarë premton e ardhmja?
“Është hapi i parë në rrugëtimin e Ethereum drejt një sistemi të maturuar, por ka ende hapa për tu hedhur,” tha bashkë krijuesi i Ethereum Vitalik Buterin.
Ai përmendi tarifat e larta të rrjetit Ethereum dhe ngadalësia e transaksioneve të cilat nuk janë adresuar nga përditësimi por mbeten pengesë në rritjen e rrjetit.
Buterin kishte sugjeruar shpërndarjen e transaksioneve në copëza sikur të ndahen në korsi të një autostrade për të përshpejtuar transaksionet.
Përditësimi ishte planifikuar të vinte së bashku me tranzicionin në proof-of-stake por nuk ju tha prioritet.
Një zhvillim me rëndësi janë “rollup-et” një e ardhme ku zhvillimi i Ethereum varet jo nga përditësimet e kodit burimor të Ethereum por zgjidhjet e komunitetit që zgjerojnë funksionalitetin e blockchain. /PCWorld Albanian