Fundi i vitit 2022 ka sjell një valë të re të përplasjeve në Partinë Demokratike të Kosovës. Sebep për këtë është bërë aktivisti i shoqërisë civile Rron Gjinovci. Postimi i një foto me Rron Gjinovcin nga ana e nënkryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka nxitur reagimin e disa aktivistëve të PDK-së.
Më i ashpri ka qenë Bujar Cakolli, sekretar i degës së PDK-së në Prishtinë.
Në profilin e tij në “Faceboook”, ai ka shkruar se si zyrtarët e PDK-së nuk duhet të rrinë me Gjinovcin, i cili njihet si kritikues i madh i PDK-së dhe mbështetës i kryeministrit Albin Kurti.
“Me Rron Gjinovcin edhe tipat si ai, as ne dek as ne drek”, ka shkruar ai.
Kjo ka nxitur reagimin e ashpër të Vlora Çitakut. Nënkryetarja e PDK-së ka thënë se njerëzve që kanë përfituar nga PDK-ja vetëm për shkak të llogos së partisë iu ka mbaruar koha.
Në profilin e saj në “Facebok”, ajo ka shkruar se PDK-ja do të fitoi edhe pa ta.
“Le të jemi të qartë, njerëz të cilëve Thaçi nuk ua ka dhanë as dorën, njerëz që kanë zero ama bash zero ndikim në PDK, njerëz që duan të bëhen relevant e me përfitu falë asocimit me PDK: Ju ka mbaru koha. PDK ka me fitu. Jo ju. PDK”, ka shkruar Çitaku.
Më pas Cakolli ka shkruar një status të gjatë, ku bërë fajtore Çitakun për pozitën e sotme të PDK-së.
“Le të jemi të qartë: Është më se e vërtetë që shumë pak herë ma ka dhënë dorën Hashim Thaçi, e qe besa edhe krejt takimet me të për 20 vite mund të përmblidhen në vetëm disa minuta, sepse kam qenë aktivist i terenit e votues i PDK prej vitit 2000, larg zyreve qendrore të partisë. Po ju, që patët shumë ndikim në PDK, ju që ja keni dhënë dorën shumë herë Hashim Thaçit, po shihet se ku është sot ai. Unë nuk kam negociu Gjykatën Speciale e qe besa kurrë as nuk kam keq informu Hashim Thaçin e Kadri Veselin për të”, ka shkruar Cakolli.
Me tej, ai ka kritikuar Çitakun se nuk ka reaguar as ndaj analizës së kryeakademikut Mehmet Kraja, i cili kishte drejtuar akuza të renda ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.
Madje, sipas tij, disa zyrtarëve të PDK-së po iu vije marre me e mbrojt PDK-në.
“Çfarë paradoksi, asnjë fjalë për raportin skandaloz të Mehmet Krajës, asnjë fjalë për dënimin e Salih Mustafës, e gjithë ky pasion edhe zell me reagu kundër një statusi të një militanti dhe aktivisti të thjesht partiak. Tash qe besa edhe disave po ju vjen marre edhe me mbrojte, ma shumë po identifikoheni e po ndiheni mire me Albin Kurtin e Vjosa Osmanin, por PDK nuk mund ta bëni as VV e LDK. Nëse personave që ju u jepni pushtet, si në rastin e Prishtinës ju vjen turp asocimi me PDK e me Hashim Thacin e Kadri Veseli, unë nuk e kam për turp këtë punë. UNË NUK ASOCIOHEM ME PDK, UNE JAM PDK”, ka shkruar Cakolli.
Fotoja e publikuar nga Vlora Çitaku ishte shkrepur në ndejën që PDK-ja kishte organizuar për pritjen e gazetarëve për fundit. Përveç Gjonovcit, në foto ishin edhe disa gazetarë.
Edon Cana i del në krah Çitakut
Në polemika është përfshirë edhe Edon Cana, ish-ambasadori i Kosovës në Bullgari.
Ai ka dalë në krah të nënkryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, duke thënë se ajo ka qenë prej bashkëpunëtoreve më të ngushta të Hashim Thaçit.
“Ata të cilët e mbrojnë Hashim Thaçin nga bashkëpunëtorët e tij më të ngusht, te cilëve ju ka besuar dhe ju beson me çdo gjë nga lufta e deri më sot, demonstrojn dy gjera: nuk e njohin dhe nuk e kanë njohur Hashim Thaçin, shumica skan as pasur mundesi të kalojne një min me të; nuk e njohin filozofine politike të PDK-së”, ka shkruar Cana në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, kritika të tilla ka pasur edhe më herët.
“Në vitin 2007 po të njejta kritika janë adresuar nga njerëz me mentalitet të tillë. Atëbotë PDK-ja nuk i ka ndëgjuar dhe sot fatmirësisht nuk i ndëgjon dhe si rezultat PDK-ja nga një parti me shtrirje dominuese regjionale u shëndrrua në parti dominuese nacionale, nga Mitrovica e deri në Prizren. Sot, PDK-ja nga një parti opozitare po shëndrohet në parti e cila do ta Qeverisë Kosovën. Vazhdojme pa u ndalur për Partinë Demokratike të Kosovës”, ka shkrua Cana.
Përplasja e Çitakut me Musliun
Edhe para disa muajve në PDK kishte plasur një polemikë në mes të zyrtarëve të lartë.
Mbajtja e Konventës së PDK-së për Gruan ishte kritikuar nga deputetja e kësaj partia Ganimete Musliu.
Ajo kishte thënë se PDK-ja është “kapur” nga një grup i vogël i njerëzve, të cilët injorojnë pjesën tjetër të partisë. “Nuk e shoh të arsyeshëm të behëm numër në një konventë e cila nuk e thotë as edhe një fjalë të vetme kundër padrejtësive që po u bëhën ish liderëve dhe ish themeluesve, krenarisë së PDK-së dhe të Kosovës Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. PDK-ja ka shkëlqyer me heshtje në këtë drejtim duke krijuar huti dhe pasiguri në elektorat”, kishte shkruar Musliu në profilin e saj në “Facebook”.
Kundërpërgjigjja e Vlora Çitakut ndaj kritikave kishte ardhur shpejt.
Në profilin e saj në “Facebook”, Çitaku kishte thënë se pavarësisht zërave kritikë kjo parti do të hapet.
“PDK ka me u hapë. Me u reformu, jo me u tjetërsu. Gratë e vajzat e reja që po i bashkohen PDK-së do ta kenë mbështetjen dhe hapsirën që e meritojnë. Nuk ka rrugë tjetër. Në PDK jam që nga themelimi. Në fakt, me Presidentin Thaçi kam punuar para se PDK të krijohet si parti. E kam parë nga afër përpjekjen e tij të vazhdueshme për ta pasuruar, rilindur, e reformuar PDK-në. Po ashtu e di që edhe atëbotë, sikurse edhe sot, ka pasur ndonjë rezistencë”, kishte shkruar Çitaku.
Pakënaqësi ndaj lidershipit të PDK-së kanë shprehur edhe disa figura tjera të rëndësishme të PDK-së. Për shkak të mospajtimeve me udhëheqësit aktual të PDK-së, Ramë Buja kishte dhënë dorëheqje nga posti i nënkryetarit të partisë.