Shkup, 15 dhjetor – Prej kur është premtuar shkolla në fshatin Idrizovë po të ishte realizuar tani do të ishte koha të flitej për renovimin e kësaj shkolle, por ja që mbetet ende temë që duhet të flitet për ndërtimin e kësaj shkolle që është jetike për nxënësit e këtij fshati që të vijojnë mësimin në gjuhën e tyre amtare, shqipe. Politikanët tanë e kanë kuptuar se më e lehtë se të premtosh është të mos realizosh, sepse në këtë vend askush për asgjë nuk kërkon llogari. Nxënësit e fshatit Idrizovë, nuk kanë kërkuar laboratorë e as tabela digjitale, thjesht vetëm atë për të cilën kanë nevojë një shkollë që të mësojnë në fshatin e tyre e në gjuhën e tyre. E tani në fund të vitit 2022 kur flitet për ndryshim të statusit të gjuhës shqipe në Kushtetutë, e për atë se sa është e zbatueshme gjuha shqipe në RMV kemi ende raste që nxënsëve shqiptarë nuk u garantohet mësimi në gjuhën shqipe. Rasti i tillë, është në fshatin Idrizovë që nuk po gjinden dot tulla ndërtimi për këtë shkollë që është shumë e nevojshme për nxënësit. E ndërtimi i kësaj shkolle sikurse ka mbet në duar të “kësmetit”, gjithkush e premton askush nuk e realizon, dhe nuk dihet kur do të përfundojë, shkruan Zhurnal.
Shkollën në fshatin Idrizovë gjithkush e premtoi askush nuk e realizoj!
Thuajse në çdo fushatë parazgjedhore, autoritetet lokale të Gazi Babës së Shkupit e vendosin në listën e prioriteteve zgjidhjen e problemit të mësimit në gjuhën shqipe për fëmijët e fshatit Idrizovë, nga klasa e gjashtë deri në të nëntën. Autoritetet lokale janë justifikuar me atë se projekti për shkollën e re fillore në Idrizovë është i përfunduar dhe i dorëzuar si dokument planor në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Sipas tyre për çdo projekt dhe investimi kapital nevojitët periudhë më e gjatë kohore, ndërsa punët ndërtimore për shkollën në Idrizovë pritet të nisin në vitin 2022.
Por, tani jemi në fund të vitit 2022 dhe kjo temë as që është diskutuar për nisjen e punimeve për ndërtimin e kësaj shkolle. Janë bërë më shumë se një dekadë që kur prindërit po kërkojnë për fëmijët e tyre të mësojnë në gjuhën amtare, një kërkesë shumë legjitime dhe të garantuar edhe me Kushtetutë, por ja që për këtë projekt nuk po ka “kësmet” që të fillojë e të përfundojë.
Edhe ish kryeministri, Zoran Zaev, kishte premtuar zgjidhjen e këtij problemi, ai me shumë probleme të tjera iku dhe la pozitën e kryeministrit, bashkë me pozitën la edhe premtimet e dhëna. Artan Grubi, Muhamed Zeqiri, Boris Georgievski dhe Arbër Ademi, më 28 shtator 2019 kishin shkuar në Idrizovë. Ata u premtuan banorëve të Idrizovës shkollë fillore, atë që më së shumti kishin nevojë ata banorë. Atë kohë banorët këto premtime i priten me duartrokitje, por ishin duatrokitje koti dhe shpresa prej “lloçi”, sepse 3 vite më vonë kjo shkollë nuk u ndërtua ende, për të njëjtën shkollë sërish premtohet e fitohet ndonjë grimcë vote.
Përse gjithë kjo zvarritje për ndërtimin e një shkolle?
Sipas, atyre që kanë premtuar dhe janë përgjegjës për mos realizimin e këtij projekti flitet për një gabim të bërë nga Komuna e Gazi Babes gjatë aplikimit në MASH që kanë dorëzuar një projekt kopje të vjetër. Këtë e ka konfirmuar edhe kryetari Gazi Babës, Boris Georigievski, sipas të cilit flitet për dedikim të njëjtë, dallon vetëm numri i të punësuarve dhe nxënësve. Por ish ministri i Arsimit atë kohë, Arbër Ademi, pati deklaruar se është e palejueshme të aplikohet dy herë me të njëjtin projekt.
Deri tani këto janë arsyetimet publike të thëna, ndërkaq ato që nuk thuhen mund të jenë edhe shkaqet reale të kësaj zvarritjeje jo korrekte edhe shumë të dëmshme për nxënësit shqiptarë. Por, të mendohet se sa nxënësit mund të dëmtohen mbase ky projekt kish përfunduar gjatë kohë më parë. Si shkaqe tjera për mos realizim të këtij projekti është fakti kryesor që këta nxënës janë shqiptarë, sepse në të kundërtën do të kishte qenë absurditet nëse ish bërë fjalë për nxënësit maqedonas që në mungesë të shkollës së tyre të vijojnë mësimet në gjuhën shqipe, një mungesë e një shkolle të tillë ishte plotësuar brenda natës.
Kur do të ndërtohet shkolla në Idrizovë?
Pas gjithë kësaj periudhe të gjatë dhe zvarritje të pakuptueshme e të paarsyeshme, përgjigja më reale do të kishte qenë se kjo “shkollë ndërtohet kur të jetë kësmet”, se sa për të pritë ndonjë ministër me emrin Ismet, ky projekt do vazhdoj të mbetet sërish në letër.
Ministra shqiptarë në Ministrinë e Arsimit ka pasur me bollëk, por për ironi gjendja e arsimit te shqiptarët për mjerim, kjo mbase nuk mund të shpjegohet si ka mundësi praktike të ndodhë kjo gjë. Megjithatë, në asnjë moment shqiptarët, nxënësit e as studentët nuk u kanë kërkuar ministrave shqiptarë që mos të fokusohen te shkollat maqedonase, por që është e pakuptimit neglizhenca e tyre ndaj shkollave shqipe nuk mund të mbulohet në asnjë mënyrë.
Nxënësit e fshatit Idrizovë nuk po kërkojnë laboratorë e as tabela digjitale, ajo që po kërkojnë e kanë nevojë ata është vetëm një shkollë ku do të kenë mundësi të vijojnë mësimin në gjuhën e tyre amtare, shqipe. Por, që me këtë diskurs e me këtë avaz kjo shkollë edhe gjatë kohë nuk do të ndërtohet.
Megjithatë, ky nuk është premtimi i parë e me shumë gjasë as i fundit që bëhet nga këta politikanë, para këtij ka pasur një mori premtimesh të tjera që ende kanë mbetur si të tilla vetëm premtime. Por, ajo që është e domosdoshme është fakti që tani më është koha që t’i kushtohet një rëndësi të veçantë, arsimimit, sepse kjo rini nuk duron dot shtypjen, diskriminimin qysh në fëmijëri, dinë dhe ka zgjidhje të tjera të braktis këtë vend që ka ndarje klasike të qytetarëve, ku trajtimi varet nga përkatësia etnike, e gjëra të tilla nuk duhet të lejohen të ndodhin, Sepse, pasojat do të jenë të pariparueshme, pastaj shkollat edhe shumëkatëshe po u ndërtuan do të jetë e kotë sepse nuk do të ketë nxënës. /Zhurnal.mk
Burimi: zhurnal.mk