Me një rregullim të vogël të ndenjëses, Rumeysa Gelgi më në fund hipi në një avion për herë të parë në jetën e saj. Nuk ishte e lehtë, por gruaja më e gjatë në botë e bëri udhëtimin e saj të parë me avion me ndihmën e linjës ‘Turkish Airlines’.
Gelgi, e cila është në Librin e Rekordeve Guinness për gjatësinë e saj 2.15 metra, ishte në gjendje të bënte udhëtimin, pasi linja ajrore kryesore e Turqisë ktheu gjashtë vende të avionit në barela. Gelgi duhet të udhëtojë me barelë, për shkak të sindromës Weaver, një çrregullim gjenetik i karakterizuar nga rritja e shpejtë. Ajo zakonisht qarkullon me karrige me rrota, por ndonjëherë ecën për distanca të shkurtra. 25-vjeçarja donte të udhëtonte në SHBA për të bashkëpunuar me Guinness dhe për të ndihmuar në zhvillimin e karrierës së saj profesionale. E shoqëruar nga nëna e saj, Gelgi hipi në avion me karrocën me rrota përpara se të shtrihej në barelë brenda avionit për një fluturim 13-orësh drejt San Francisko-s.
Gelgi u tha gazetarëve në aeroportin e Stambollit se ishte shumë e emocionuar për të udhëtuar me avion për herë të parë dhe se ky fluturim ishte i rëndësishëm për pacientë si ajo që kanë nevojë për barelë. “Ky do të jetë fluturimi im i parë, si dhe udhëtimi im i parë jashtë shtetit. Por besoj se kjo përvojë do të jetë e para për shumë individë, jo vetëm për mua. Sepse, siç e dini, opsioni i udhëtimit si pasagjer me barelë është përgjithësisht i rezervuar për pacientët që transferohen nga një repart në tjetrin.”
“Është një alternativë për pacientët që referohen nga një spital në tjetrin dhe kanë nevojë për ambulancë. Megjithatë, për shkak se nuk mund të rrija ulur për periudha të gjata kohore për shkak të skoliozës, ose çrregullimit të lakimit të shtyllës kurrizore, më duhej të fluturoja me barelë”,- tha ajo.
Gelgi jeton në Karabuk, Turqi, rreth 200 kilometra në veri të kryeqytetit, Ankara. Ajo thotë se po përdor titullin e saj të rekordit botëror për të mbrojtur dhe rritur ndërgjegjësimin si për sindromën Weaver, ashtu edhe për skoliozën. Burri më i gjatë në botë jeton gjithashtu në Turqi: Sulltan Kosen, i cili është i gjatë 2.51 metra.
Burimi: GAZETA.MK