Balerini i njohur Ilir Shaqiri ka folur për marrëdhënien e ngushtë që ai ka me vajzën e tij Emilyn, ndërsa dëgjoi videomesazhin që e bija kishte dërguar për të.
Në emisionin “Dola te Ola” në News24, ai u përlot teksa Emily i shprehu dashurinë e madhe që ajo ndjen për të dhe e falënderoi publikisht për dasmën surprizë që balerini organizoi.
“E adhuroj vajzën time”, tha Iliri, teksa rrëfeu edhe një bisedë që kishte zhvilluar së fundmi me të bijën. Ai tha se Emily për herë të parë i kishte treguar se pëlqen një djalë.
“Teksa drekonim më tha dua të të them një gjë. Më rrahu zemra fort. Më tregoi se pëlqen një djalë, kjo ishte hera e parë që e bën një gjë të tillë”, tha balerini duke ndarë emocionet dhe ndjesitë që kishte përjetuar.
Iliri më tej shtoi se për gati 10 minuta nuk kishte folur me të bijën, por më pas e kishte pyetur dhe kishte mësuar se djali që ajo pëlqen është aktor dhe e ka njohur nëpërmjet një shoqeje.
Balerini i njohur me sinqeritet rrëfeu vështirësinë me të cilën përballet një prind në momente të tilla, që edhe dëshiron që fëmija i vet t’i tregojë, por nga ana tjetër e ka edhe paksa të vështirë ta pranojë.