Ishte mbrëmja e 30 nëntorit, kur një grua shtatzënë u qëllua për vdekje në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë. I dyshuar kryesor për vrasjen ishte bashkëshorti i saj, i cili më pas vrau veten.
Por nuk është vetëm ky rast.
Për 12 vite janë pesëdhjetë gra të vrara.
Nga viti 2010 deri më 1 dhjetor 2022, në Kosovë janë vrarë 50 gra.
E për këto viktima, Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës e sheh fajtor edhe shtetin.
“50 raste janë në 12 vjetët e fundit. Fatkeqësisht edhe në këto dy vjetët e fundit i kemi pasur dy deri në tri raste të vrasjes së grave në rastet e vrasjes së rasteve të grave përjashtimisht te rasti i Donjeta Pajazaitaj ende nuk është gjetur një person që do merrte barrën e fajësisë. Raste të tjera gjithmonë kanë qenë persona që janë njohur për sistemin e drejtësisë kanë qenë bashkëshortë. Të gjitha vrasjet kanë qenë të raportuara në polici dhe kanë kërkuar mbështetje dhe mbrojtje nga shteti por që shteti ka dështuar ti mbrojë. Prej pasluftës kemi qenë zeri i parë që kemi ngritur për dhunën në familje dhe vrasjet e grave. Kemi edhe shumë gra të cilat përjetojnë dhunë por që asnjëherë nuk iu kanë drejtu asnjë institucioni”, thotë ajo.
Madje rastet e vrasjes së grave janë në rritje.
Zëvendës avokatja e popullit, Majlinda Lulaj thotë që edhe dënimet që po shqiptohen nuk janë duke e arritur atë qëllim për çka janë vendosur në legjislacion.
“Ne konsiderojmë se rastet e dhunës në bazë gjinore dhe rastet që po përfundojnë me fatalitet po vazhdojnë të jenë në rritje. Kjo do të thotë që edhe dënimet që po shqiptohen nuk janë duke e arritur atë qëllim për çka janë vendosur në legjislacion. Avokati i popullit ka gjetur brenda zingjirit institucional dështim të autoriteteve për të përmbushur rolin që kanë pasur, thotë ajo./teve1
Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.