Mesazhe për bashkim të shoqërisë dërguan kreu shtetëror në shënimin e 31 vjetorit të pavarësisë së shtetit. Presidenti Stevo Pendarovski në ceremoninë e organizuar në presidencë tha se bashkimi është çelësi i suksesit, me ç’rast katër sportistët Shaban Tërstenën, Olivera Nakovskën, Branimir Jovanovskin dhe Dejan Gorgievskin i dekoroi me çmimin 8 shtatori pasi kanë afirmuar vendin ndërkombëtarëisht dhe shembin ndasitë e brendshme me të arriturat e tyre.
“Në këtë rrugëtim të vështirë kemi arritur edhe suksese, por edhe zhgënjime. Shpesh herë energjinë e kemi shpenzuar në akuza të ndërsjella dhe obstruksione ndërkaq në planin e brendshëm sot e kësaj dite përballemi me ndasi të thella. Bashkimi është kushti kyç për sukses, dhe për të qenë më të suksesshëm në garën midis popujve do të duhet të rinovojmë bashkimin dhe të kthejmë vetëdijësimin, jo për interes personal por për të mirën e përgjithshme.” – tha Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski.
Kryeparlamentari Talat Xhaferi i pranishëm në ceremoni uroi sportistët për çmimet e marra me dëshirën që entuziazmi, vepra dhe suksesi i tyre të jenë motivim për gjeneratat aktuale dhe të ardhshme të sportistëve.