Pas reshjeve të shumta të shiut që mbizotëruan në vendin tonë dhe vërshimeve në disa rajone, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, gjatë ditës së sotme qëndroi për vizitë në komunën e Gjakovës për të parë nga afër dëmet e shkaktuara në sektorin e bujqësisë.
Në kuadër të kësaj vizite, ministri Peci tha se edhe këtë vit do të kompensohen dëmet për fermerët të cilët pësojnë nga fatkeqësitë natyrore. “Si ministri, edhe këtë vit do realizojmë kompensimin e dëmeve në bujqësi.
Këto dëme do të kompensohen pas vlerësimit të raporteve që do t’i sjellin drejtoritë komunale për bujqësi. Ne kemi të themeluar Komisionin për Dëme në Bujqësi i cili do të bëjë analizimin dhe vlerësimin e raporteve që vijnë nga Drejtoritë përkatëse. Muaji nëntor do të jetë muaji ku edhe do të fillojnë ekzekutimi i pagesave për dëmet në bujqësi për vitin 2022”, u shpreh ministri Peci me këtë rast, njofton MBPZHR.
Gjatë kësaj vizite, Ministri i BPZHR-së, Faton Peci ishte i shoqëruar nga zv.ministri i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Agon Dobruna. Gjithashtu, gjatë kësaj vizite, Peci takoi edhe kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i cili e njoftoi me të gjitha zonat e prekura nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e shiut, si dhe me ecurinë e procesit të vlerësimit të dëmeve.