Opinionistja Nexhmije Gjema ka publikuar një shkrim satirik, në të cilin imagjinon përfaqësues të PDK-së dhe AAK-së duke shkuar ta përgëzojnë kryeministrin Albin Kurti për hapjen e Urës së Ibrit pas 27 vjetësh.
Në mënyrë ironike, Gjema shkruan se partitë opozitare do të premtonin mbështetje për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve, ndërsa do ta vendosnin interesin e shtetit mbi atë partiak.
Shkrimi përfundon me një ftesë imagjinare për koktej dhe këshillën që qytetarët ta lexojnë lajmin ulur, pasi ndryshimet e tilla politike mund të shkaktojnë “marramendje”.
Shkrimi i plotë:
𝐋𝐀𝐉𝐌𝐄 𝐓𝐄̈ 𝐌𝐈𝐑𝐀
𝐏𝐃𝐊-𝐣𝐚 𝐞 𝐀𝐀𝐊-𝐣𝐚 𝐬𝐡𝐤𝐨𝐣𝐧𝐞̈ 𝐭𝐚 𝐩𝐞̈𝐫𝐠𝐞̈𝐳𝐨𝐣𝐧𝐞̈ 𝐊𝐮𝐫𝐭𝐢𝐧 𝐩𝐞̈𝐫 𝐡𝐚𝐩𝐣𝐞𝐧 𝐞 𝐔𝐫𝐞̈𝐬 𝐬𝐞̈ 𝐈𝐛𝐫𝐢𝐭 𝐩𝐚𝐬 𝟐𝟕 𝐯𝐣𝐞𝐭𝐞̈𝐬𝐡.
Përfaqësues të PDK-së dhe AAK-së janë mbledhur sot në Kuvendin e Kosovës për ta uruar kryeministrin Albin Kurti për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve, pas 27 vjetësh.
Të emocionuar nga zhvillimet e fundit, ata kanë vendosur që personalisht t’ia përcjellin Kryeministrit mirënjohjen për një punë që, për arsye ende të panjohura, nuk kishin arritur ta përfundonin gjatë viteve kur vetë udhëhiqnin institucionet e vendit.
Burime satirike bëjnë të ditur se delegacioni, përveç urimit, është zotuar se nga sot do ta përkrahë konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe, kur t’i vijë radha, zgjedhjen e Presidentit të vendit, në mënyrë që institucionet e Kosovës të funksionojnë normalisht dhe vendi të mos mbahet ma peng i bllokadave politike.
Ata janë zotuar gjithashtu se do të kontribuojnë në mbarëvajtjen e punëve dhe realizimin e projekteve që kanë mbetur pezull tash e një kohë, duke premtuar se interesin e shtetit dhe të qytetarëve do ta vendosin para interesave partiake.
Në fund, delegacioni ka premtuar se, prej sot e tutje, Qeverinë do ta kundërshtojë aty ku mendon se ajo ka gabuar apo nuk ka punuar sa duhet, por nuk do ta kundërshtojë Kosovën kur ajo ecën përpara. 🇽🇰
Kryeministri, siç thuhet në raportim, ngeli pak i hutuar që vizitës nuk iu bashkuan edhe përfaqësuesit e LDK-së, por, duke pasë parasysh dhe mirëkuptim se ata tashmë i kanë përvjelë mëngët dhe janë zhytë në përgatitjet për projektet madhore që e presin Kosovën, nuk e konsideroi edhe shumë të nevojshme.
Burimet tona satirike raportojnë se Kryeministri i ka falënderuar të gjithë të pranishmit për vizitën dhe në shenjë faleminderimi dhe bashkëpunimi i ftoi të gjithë që, në ditët në vijim, ta festojnë bashkë këtë fillim dhe frymë te re bashkëpunimi me një koktej rasti.
Ndërsa qytetarët, i ka këshilluar që lajmin ta lexojnë ulur, pasi ndryshime kaq të mëdha politike mund të shkaktojnë edhe marramendje, sidomos duke pas parasysh vapën që po mbretëron këto ditë.
Tanjug, 17 gusht 2026 😜
SATIRË |
Burimi: botasot.info


