Partia Demokratike ka depozituar ankimim ndaj kërkesës së KQZ për plotësim dokumentacioni, ndërsa në mesnatë skadoi afati i vendosur nga Komisioneri i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi që Lulzim Basha të firmoste si kryetar partie deklaratën solemne të parashikuar në Kodin Zgjedhor për t’u regjistruar në zgjedhjet vendore t% 14 majit.
Sot në orën 10:00 do të hidhet shorti për caktimin e relatorëve të kërkesave ankimore të depozituara në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve nga Sali Berisha dhe Indrit Sefa, përfaqësuesi ligjor i grupit të Alibeajt.
Lulzim Basha nuk bë i gjallë edhe pse Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve i dha 48 orë kohë për të firmosur një testament të ri politik, që do t’i hapte dritën jeshile regjistrimit të Partisë Demokratike në zgjedhje.
Juristi Indrit Sefa i është drejtuar Celibashit se Basha është dorëhequr ndaj duhet të procedohej me regjistrimin e partisë pasi nuk do dorëzohet asnjë shkresë e re me firmën e ish-kryetarit.
“PD nuk depoziton asnjë akt shtese, dokumentacioni ligjor i paraqitur nga PD është i plotë dhe i ligjshëm. Lojërat politike dhe argumentat politike në bindjen tonë të ngritura nga komisioneri nuk mund të ngrihen në këtë godinë, kjo godinë është godina që bëhet administrimi i zgjedhjeve dhe si e tillë ajo duhet të jetë e pavarur dhe apolitike. Komisioneri mos të presë orën 12 të natës siç ka pretenduar por të japi një vendimmarrje tani, ne do presim këtu deri në vendimmarrjen e komisionerit”, tha Indrit Sefa.
Refuzimi i Lulzim Bashës për të hedhur firmën mbi deklaratën që kërkon Kodi Zgjedhor se nuk do të kryejë krime zgjedhore, rrezikon që Partia Demokratike të mos regjistrohet.
“Në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe nenit 46 të Statutit të PD, që përcaktojnë se: “Kryetari i Partisë ndihmohet nga Nënkryetarët dhe Sekretari i Përgjithshëm.Kryetari i Partisë gjatë veprimtarisë së tij të përditshme i cakton detyra dhe fusha të caktuara përgjegjësie Nënkryetarëve të Partisë. Në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin”, është lëshuar Autorizimi i Përgjithshëm datë 18 Mars 2022”, thuhet në shkresën drejtuar KQZ.
Nga ana tjetër Berisha kundërshtoi vendimin e Celibashit që refuzoi të regjistrojë PD-në me kryetar Sali Berishën.
KQZ vendosi të mos i pranojë kërkesat e berishës dhe Alibeajt në mbledhjen e 9 marsit, ndërsa njohu Bashën si kryetar të PD-së. Kërkesa e Rithemelimit nuk u pranua pasi Basha njihet ligjërisht si kryetar partie dhe jo Berisha.
Kurse kërkesa e Alibeajt për regjistrimin e PD-së në zgjedhje nuk u pranua për shkak se mungonte një dokument që ka të bëjë me Kodin Zgjedhor dhe që duhet firmosur nga kryetari i partisë, që ligjërisht është Lulzim Basha, duke i lënë afat PD-së vetëm 48 orë kohë.