Dy kandidatët e opozitës “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” që kishin kërkuar rinumërim të votave pasi pretendojnë për vjedhje të votave kanë afat 24 orë për të depozituar një kërkesë nga subjektet zgjedhore për ankimim.
Për Aulon Kalanë, i cili ishte kandidat në qarkun e Durrësit, do të ankimojë partia Lëvizja e Legalitetit, e cila kishte depozituar këtë të martë një kërkesë pranë Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve pasi si kandidat, nuk mund të merret në shqyrtim ankimimi.
“E quaj si fitore të vogël këtë sot, Lëvizja e Legalitetit iu drejtua me kërkesë KQZ-së duke iu bashkangjitur kërkesës sime. Partia Lëvizja e Legalitetit lidhet sepse është në koalicion me Partinë Demokratike dhe ka legjimitet, duke qenë se ka mbështetur kandidaturën time në qarkun e Durrësit. Ne kemi paraqitur prova, jemi të bindur që ka ndodhur krim zgjedhor, është në dorën e këtyre tani që të hapin kutitë dhe ne ta tregojmë me fakte që të shohim se çfarë ka ndodhur. Kanë ndodhur deformime të votave“, u shpreh për tch Kalaja.
Ndërsa kandidati Asllan Dogjani, i cili kërkon rinumërim të votave për qarkun e Tiranës thotë se ka marrë autorizim nga Partia Demokratike për ankimim dhe do të duhet që po brenda 24 orëve, ky subjekt zgjedhor të dërgojë kërkesë pranë KAS për rinumërim.
“Kam marrë autorizim nga partia, por këta kanë bërë një interpretim të Kodit Zgjedhor, që duhet që partia të jetë pjesë ankuese në kërkesën për numërimin e votave të kandidatëve. Vetëm në KZAZ-të e Kamzës dhe Paskuqanit janë rreth 2800 vota të pavlefshme“, tha Dogjani.
Ndërkohë, KAS ka vendosur që të mërkurën të verifikohen 4 kuti votimi në Qarkun e Vlorës, pasi Partia Demokratike pretendon se mungojnë 130 fletë votimi. Në mbledhjen e ditës së martë, u hap kutia e votimit me numër 4494 në KZAZ 85, pasi Nisma Shqipëria Bëhet pretendonte se në këtë kuti kishte fletë votimi që nuk kishin dy vula, atë të Qendrës së Votimit dhe të KZAZ-së. Por, pasi u hap kutia, asnjë fletë votimi nuk rezultoi të mos kishte të dy vulat.
Burimi: botasot.info