“PD i ka një borxh të madh Shkodrës”, Basha: Premtoj politikë me një fytyrë njerëzore

Nga Shkodra ku çeli zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 6 marsit Kryedemokrati Luzim Basha deklaroi se Partia Demokrati i ka një borxh të madh Shkodrës, pasi ky qytet i ka dhënë shumë kësaj partie.

Basha tha se shkodranët nuk duhet të kenë shembull për kryebashkiak kryeministrin Edi Rama dhe Tom Doshin, ndërsa ftoi si zgjidhjen e duhur kandidatin e PD-së, Xhemal Bushati.

Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha

Po e nis me një selfi se kam iluzionin që selfi, fotografia, do ta kujtoj e do ta ruaj, do ta përjetësoj këtë moment mahnitës, këtë moment të mrekullueshëm këtu në këtë kryeqendër që gjithkush, çdo shqiptar, çdokush që flet shqip, i thotë kryeqendra e veriut. Por në fakt është kryeqendra e kombit sa i takon qytetarisë, sa i takon vlerave, sa i takon spirancës së kombit, udhëtimit tonë qindravjeçar dhe shekullorë drejt destinit tonë perëndimor.

Ndaj dua t’iu falënderoj për këtë atmosferë të mrekullueshme që dinë ta falin vetëm shkodranët. Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, dy dashni kanë shkodranët: Partinë Demokratike dhe Vllazninë. Them që nuk iu njoh pak, duke iu njohur mirë, duke parë si keni votuar, zgjedhje pas zgjedhjesh që kur kam qenë fëmijë, si keni zgjedhur në kohë të vështira, mund ta them me gojën plotë para jush, para gjithë shkodranëve, para gjithë Shqipërisë që askush nuk i rren dot shkodranët. Nuk i ka rrejt Enver Hoxha për 50 vite , e nuk mundet me i rrejt askush me asnjë marifet.

Është kështu apo jo? Xhemali, në një nga bisedat kohë më përpara, kur nuk e dinte që do t’i propozohej sakrifica e përfaqësimit të shkodranëve në një moment si ky, më ka thënë tre fjalë që i kam dëgjuar edhe nga shkodran të tjerë, kështu që besoj që është një fjalë e gjithë qytetit, e gjithë bashkisë, nga Dukagjini në Velipojë, Shkodra është dashni. Dhe e shoh që e ka dhe në sloganin e tij “me dashni për Shkodrën”, por e vërteta është që Shkodra është dashni, e vërteta është që Xhemal Bushati është kandidati më i mirë për Shkodrën. Ai është pjesë e Shkodrës, e tha një nga parafolësit. Është pjesë e Shkodrës jo vetëm në ditë të bukura si kjo ku jemi mbledhur bashkë për të festuar në zemrat tona besimin e pathyer se bashkë nuk ka forcë të na mposht po edhe në ditë të vështira, edhe në ditë të errëta, jo vetëm në ditë me diell, edhe në ditë me shi.

Xhemal Bushati ka qenë përherë këtu, në mesin tuaj, si për familjen e vet, për çdo shkodrane dhe për çdo shkodran. Ai është pjesë e Shkodrës, ndaj e them me zemrën plotë e duke iu parë në sy, jam krenar që është kandidati i Partisë Demokratike për Shkodrën. Është njeriu që është kujdesur me zemër dhe me shpirt për qytetarët e Shkodrës, për hallet dhe problemet e tyre nga çdo pozitë, nga ajo e bashkëqytetarët, e kryetarit të Këshillit Bashkiak për një kohë të shkurtër por të vështirë, e bamirësit, e punëdhënësit. E njoh nga afër që nga ditët e vështira të përmbytjeve, ku pavarësisht se nuk kishte asnjë rol dhe përgjegjësi shtetërore, me zemërgjerësinë e tij, braktisi gjithçka dhe u bë njësh me përpjekjet e shtetit për t’i ardhur në ndihmë njerëzve në vështirësi. E di dhe e njoh nga afër pasionin e tij, e di se do ta bëjë Shkodrën më të mirë, më të jetueshme për të gjithë qytetarët e saj, e di se në zemër ka dëshirën për t’i shërbyer çdokujt, pa dallim.

Megjithëse Partia Demokratike ka një borxh të madh ndaj Shkodrës, ka një borxh të madh që nuk ia ka shlyer Shkodrës për aq sa Shkodra i ka dhënë, unë jam i bindur se Shkodra do të votojë Partinë Demokratike të Shqipërisë, sepse siç iu thashë, shkodranët që nuk i gënjeu dot as Enver Hoxha, nuk i gënjen dot askush tjetër me asnjë marifet. Xhemal Bushati është kandidati i Partisë Demokratike. Dhe nga unë i pari, zotohem që këtë besim të madh të shkodranëve, këtë borxh të pashlyer, ta kthejmë në një politikë së pari me një fytyrë njerëzore, si fytyra, si shpirti i Xhemal Bushatit, me një fytyrë të pastër.

Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, ka vetëm një rrugë që shkodranët mos të kenë për kryebashkiak modelin e Edi Ramës, modelin e inceneratorëve, modelin e korrupsionit që shkatërron ekonominë, vret shpresën dhe zbraz Shkodrën e Shqipërinë nga rinia drita e syrit tonë. Ka vetëm një mënyrë, vota për Xhemal Bushatin.

A doni një Shkodër me kryebashkiak të kontrolluar nga Edi Rama dhe Tom Doshi? Doni një kryebashkiak, i cili vendos në bashkinë e Shkodrës, modelin e Edi Ramës dhe Tom Doshit? A doni një kryebashkiak, i cili ta vendosë Shkodrën në funksion të agjendave personale dhe pazareve personale të Edi Ramës dhe Tom Doshit? Nuk iu dëgjoj! Edhe njëherë! Atëherë votoni partinë demokratike! Votoni Xhemal Bushatin! Shkodra asht dashni! Shkodrës i duhet një kryebashkiak, i cili ka dashni e dhembshuri për qytetarët e vet dhe që ka forcë e drejtësi, për të luftuar, për çdo banor të bashkisë së Shkodrës.

Shkodrës i duhet një kryebashkiak, jo me dashni për vete, por me dashni për Shkodrën dhe shkodranët. Zonja dhe zotërinj, kandidati i partisë demokratike dhe kryetari i ardhshëm i bashkisë së Shkodrës, Xhemal Bushati!

/

Story i mëparshëm

Ulpiana gati, ky është formacioni

Story i radhës

MPJ Maqedoni do të shqyrtojë të gjithë të dërguarit nga viti 2006 e deri më sot

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish