Bashkëkryetari i Reformës Administrativo-Territoriale në Partinë Demokratike, Luçiano Boçi, ka folur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së për reformën territoriale dhe alternativën e opozitës për organizimin e pushtetit vendor.
Boçi u ndal te arsyeja pse PD vendosi të bëhej pjesë e komisionit parlamentar për reformën territoriale, duke kundërshtuar idenë se pjesëmarrja kishte për qëllim legjitimimin e hartës së propozuar nga mazhoranca.
Sipas tij, reforma e vitit 2015 nuk arriti objektivin për afrimin e shërbimeve me qytetarët.
Ai renditi si probleme centralizimin e pushtetit, uljen e përfaqësimit në zonat rurale, largimin e shërbimeve dhe mungesën e kompetencave e financave për njësitë administrative.
Gjatë fjalës së tij, Boçi përmendi edhe punën e bërë nga PD në nëntë muajt e funksionimit të komisionit. Sipas tij, opozita zhvilloi 11 dëgjesa publike jashtë Tiranës, përgatiti një analizë të reformës së vitit 2014-2015 dhe paraqiti alternativën e saj për organizimin e pushtetit vendor.
Propozimi i PD-së parashikon dy nivele qeverisjeje, 100 bashki dhe rajonet ose qarqet. Këto të fundit, sipas modelit të propozuar nga opozita, do të kishin kompetenca administrative dhe financiare dhe do të shërbenin për koordinimin mes bashkive.
Boçi përmendi si fusha ku rajonet do të mund të kishin rol planifikimin urban, menaxhimin e mbetjeve, administrimin e ujërave dhe kompetenca të tjera që, sipas tij, bashkitë e vogla nuk arrijnë t’i përballojnë vetëm.
Sa i përket numrit 100, ai u shpreh se nuk është një shifër e vendosur rastësisht, por rezultat i një procesi ekspertize dhe analize.
Burimi: botasot.info
