Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka reaguar në lidhje me protestën e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha më 6 dhjetor, ditën kur pritet të mbahet në Tiranë Samiti mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Përmes një postimi në facebook, Çuçi shkruan se atë ditë Shqipëria do të jetë mikpritëse e Evropës. Ai shton se vetëm një anti-shqiptar mund të organizojë një protestë kundër BE-së, duke lënë një damkë në sytë e të gjithë botës.
“Vetëm një antishqiptar si Sali Berisha, që i do të keqen këtij vendi nga dëshpërimi i non gratës dhe i rublave ruse që i dolën sheshit, kërkon të turpërojë Shqipërinë më 6 dhjetor, ditën kur Tirana mirëpret për herë të parë Samitin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në grahmat e fundit politike të tij, ky njeri nuk le rast pa tentuar për t’i bërë një tjetër të zezë Shqipërisë, fiks si të ishte një Konsull famëkeq i Vladimir Putinit.
Jam i bindur se edhe mbështetësit e Partisë Demokratike, të cilët mund të kenë shumë arsye për të qenë opozitarë me qeverinë, do ta braktisin Sali Berishën në aktin e tij të radhës për t’i lënë Shqipërisë një tjetër damkë turpi në sytë e gjithë botës. Sigurisht që Tirana atë ditë do jetë kryeqyteti më i sigurt, më miqësor dhe më mikpritës i Europës”, shkruan Bledi Çuçi në facebook.