Pavarësisht pezullimit të pjesëmarrjes së Moskës në marrëveshjen e drithit të Detit të Zi, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha se ai beson se presidenti rus Vladimir Putin dëshiron që marrëveshja të vazhdojë, raporton Anadolu.
“Pavarësisht deklaratës së sotme, unë besoj se presidenti rus Putin dëshiron që kjo urë humanitare të vazhdojë”, tha Erdoğan në një konferencë për media në Istanbul përpara se të nisej për në Arabinë Saudite për një vizitë zyrtare.
Komentet e Erdoğanit erdhën menjëherë pasi Kremlini njoftoi pezullimin e marrëveshjes së drithit, e cila skadon sot.
Marrëveshja e drithit e Detit të Zi hyri në histori si një sukses diplomatik, theksoi Erdoğan, duke shtuar se Türkiye i ka kushtuar gjithmonë rëndësi vazhdimit të nismës dhe ka intensifikuar përpjekjet diplomatike për këtë qëllim.
Erdoğan tha se ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan dhe homologu i tij rus Sergey Lavrov do të diskutojnë marrëveshjen përmes telefonit, duke shprehur shpresën se ajo do të vazhdojë “pa ndërprerje”.
“Përveç kësaj, ne mund të ndërmarrim hapa përmes një telefonate me Putinin pa pritur gushtin”, shtoi ai.
Më parë, Erdoğan ka thënë se Putin pritet të vizitojë Türkiyen në gusht për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale.
Një vit më parë, Türkiye, OKB-ha, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithit nga tri porte ukrainase të Detit të Zi, të cilat ishin ndërprerë pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt të atij viti.
Një qendër e përbashkët koordinimi u krijua në Istanbul me zyrtarë nga tri vendet dhe OKB-ja për të mbikëqyrur dërgesat.
Marrëveshja është rinovuar disa herë që atëherë dhe u zgjat edhe për dy muaj të tjerë më 18 maj.