Shpallja e pavarësisë dhe njohja e saj ndërkombëtare, konsiderohen si datat më të rëndësishme të historisë së deritashme të Kosovës.
17 shkurti i 2008-tes vulosi edhe lirinë e shumëkërkuar të shqiptarëve për vite me radhë.
Kjo datë e rëndësishme, ngjalli edhe më shumë ndjenjën e patriotizmit për popullin e Kosovës.
Pavarësinë filluan ta emëronin edhe në fëmijët e porsalindur.
Vetëm në atë vit, kur edhe u shpall Pavarësia, me këtë emër u pagëzuan 27 vajza.
Ndërsa, 15 persona të gjinisë mashkullore me emrin Pavarësim.
Një vit më vonë, numri me këtë emër, ka rënë dukshëm.
Janë vetëm një vajzë, dhe dy djem.
Po ashtu në vitin 2010 emrin Pavarësia e morën tri vajza.
Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, nga viti 2011 deri në 2019, 6 vajza janë emëruar me emrin Pavarësia, ndërsa dy djem me emrin Pavarësim.
Më 17 shkurt Kuvendi i Kosovës u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme dhe në orën 15:45 minuta ai e shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Deklaratën e pavarësisë e lexoi ish kryeministri Hashim Thaçi.
Thaçi: “Ne udhëheqësit e popullit tonë të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik”.
Në sallën e kuvendit ishin të 109 deputetët. Mungonin deputetët serbë, të cilët në atë kohë kërcënoheshin nga Beogradi zyrtar që të mos të bashkëpunonin me shqiptarët.
Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Kosova fillon të njihet nga vendet që e kanë mbështetur planin e zotit Marti Ahtisari.
Kosova këtë vit shënon përvjetorin e 15-të të Pavarësisë.