Ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, ka deklaruar pasurinë e tij pranë Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), pas emërimit në këtë funksion.
Sipas të dhënave të publikuara, në pasurinë e tij dhe të bashkëshortes figurojnë një banesë, tokë ndërtimore dhe dy automjete.
Sipas deklaratës së pasurisë, Ferati ka deklaruar një banesë në Tetovë, me sipërfaqe prej 75 metrash katrorë, të fituar në vitin 2023 përmes kontratës së shitblerjes. Vlera e deklaruar e kësaj prone është 6.600.000 denarë.
Në listën e pasurive të paluajtshme figurojnë edhe dy prona të regjistruara si tokë ndërtimore në zonën kadastrale Tetovë–Jashtëqytetit. Njëra prej tyre ka sipërfaqe prej 4.404 metrash katrorë dhe vlerë të deklaruar prej 52 milionë denarësh, ndërsa është fituar në vitin 2019 përmes kontratës së dhurimit.
Prona tjetër, me sipërfaqe prej 2.211 metrash katrorë, ka vlerë të deklaruar prej 26.532.000 denarësh. Sipas të dhënave të KSHPK-së, kjo pronë është fituar në vitin 2019 përmes kontratës së shitblerjes, ndërsa Ferati figuron si pronar i gjysmës së saj.
Në deklaratën e pasurisë figuron edhe një banesë tjetër në Tetovë, me sipërfaqe prej 45 metrash katrorë, e fituar në vitin 2025. Vlera e deklaruar është 2.152.500 denarë, ndërsa baza juridike për fitimin e saj është një parakontratë për shitblerje. Në këtë pronë, Ferati zotëron gjysmën, ndërsa gjysma tjetër është e regjistruar në emër të bashkëshortes së tij.
Pasuria e ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovski: Prona në Karposh, aksione në kompani private dhe të ardhura të ndryshme
Përveç pasurive të paluajtshme, në deklaratën e dorëzuar në KSHPK figurojnë edhe dy automjete. Ferati ka deklaruar një Volkswagen Passat, të prodhimit të vitit 2014, të fituar më 20 maj 2021 përmes kontratës së shitblerjes. Në pronësi të bashkëshortes figuron një Toyota Yaris Hybrid, e prodhimit të vitit 2012, e fituar më 12 gusht 2022, po ashtu përmes kontratës së shitblerjes.
Për të dy automjetet, në rubrikën e vlerës në momentin e fitimit është shënuar vlera zero./
Burimi: botasot.info

