Pashkët ortodokse, më shumë se një festë! Simbolika, vezët e kuqe

min lexim

Pashkët janë festa më e madhe e kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe të kishave të tjera të krishtera, të cilat kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit ndodhur, sipas Dhiatës së Re, tri ditë pas vdekjes së tij në kryq. Pashkët e krishtera janë në lidhje të ngushtë me ato hebraike, në të cilat festohet çlirimi i hebrenjve nga Egjipti prej Moisiut.

Fjala “Pashkë” do të thotë për hebrenjtë kalim, në të cilin nënkuptojnë, kalimi nga robëria në liri, ndërsa për të krishterët nga vdekja trupore dhe frymore në jetën e re të amshuar. Festa e Pashkëve të krishtera është e lëvizshme. Vendoset çdo vit të dielën pasuese, në të parën Hënë të plotë pas ekuinoksit së pranverës (21 mars).

Të krishterët ortodoksë ndjekin kalendarin Julian për llogaritjen e datës së Pashkëve, kështu që në përgjithësi i festojnë një ose dy javë pas të krishterëve perëndimorë, të cilët ndjekin kalendarin Gregorian. Festimi fetar përbëhet nga Agjërimi, e Premtja e Zezë, dita e diel.

Pashkët paraprihen nga një kohë parapërgatitore e agjërimit dhe përkorimit, që zgjat 40 ditë, të quajtura Kreshmë dhe fillon nga e “Mërkura e Përhimtë” dhe mbaron të “Dielën e Palmave” (e fundmja para Pashkëve). Kjo përkujton 40 ditët e Jezusit të kaluara në shkretëtirë në lutje e agjërim, kur ai sprovohet nga Djalli. Gjatë kësaj kohe, besimtarët që agjërojnë heqin dorë nga çdo lloj ushqimi me origjinë shtazore, duke pasur një menu më të thjeshtë dhe të lehtë. E diela e 24 prillit kremtoi sot pikërisht Pashkët Ortodokse.

Simbolika e Pashkëve, vezët e kuqe

Veza simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën dhe në rastin konkret, sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës. Ngjyra e kuqe paraqet forcën dhe fuqinë e perëndisë dhe njëkohësisht simbolizon edhe gjakun e Krishtit, i cili u derdh në kryq për shpëtimin e të gjithë njerëzve në botë. Krishterët e parë dhe bashkëkohës së apostujve filluan të ngjyrosin vezë dhe t’i dhurojnë për Pashkë, duke përshëndetur gëzueshëm ‘Krishti u Ngjall’! Përgjigja është: ‘Vërtet u Ngjall’! Fjala Pashkë shoqërohet me fjalën e ndritshme, duke treguar ose simbolizuar dritën, që del nga varri i Krishtit. Madje për të përforcuar ndritshmërinë e Pashkës besimtarët marrin me anë të llambave të zbukuruara dritën, të cilën klerikët e marrin nga flaka e kandilit të pashuar të Tryezës së Shenjtë, e cila simbolizon varrin e Krishtit të ngjallur dhe e çojnë në shtëpitë e tyre, duke bërë kryqin në pragun e shtëpisë dhe duke e mbajtur këtë flakë të pashuar për 40 ditë.

Të Enjten e Madhe, dhe të Shtunën e Madhe lyhen vezët e kuqe të Pashkës.

Përgatitja e vezëve të Pashkës

Përbërësit

1 paketë bojë (të kuqe ose të ndryshme)

1 ½ litër ujë

30 kokrra vezë

10 lugë gjelle uthull

Pak vaj ulliri

Përgatitja

Nxirrini vezët 8 orë më parë nga frigoriferi, përpara se t’i zieni. Mbushni tenxheren me ujë të ftohtë dhe vendosni vezët brenda. Lërini të ziejnë për 10 minuta. Më pas në një tenxhere tjetër shtoni ½ litër ujë, uthull dhe bojën. Lërini nga 2-5 minuta të ziejnë sërish në ujin me bojë. Nxirrini vezët dhe vendosini në shportë ose piatancë. Kur vezët të jenë ftohur, merrni një pecetë, lageni me vaj ulliri dhe fërkoni vezët nga sipër që të marrin shkëlqim. Vezët janë gati. Mund t’i dekoroni me fjongo apo me ngjitëse zbukurimi sipas dëshirës.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

​Sërish shpërthejnë spekulimet mbi gjendjen jo të mirë të Vladimir Putin

Story i radhës

Pochettino largohet nga PSG? Klubi francez merr vendimin

Të fundit nga