Uebfaqja MeteoKosova që merret me parashikimin e motit në Kosovë ka paralajmëruar vërshime sot dhe nesër në vend.
Sipas kësaj faqe, reshjet do të intensifikohen pasdite dhe në mbrëmje duke shkaktuar edhe vërshime lokale.
“Vendi ynë sot do të karakterizohet me vranësira dhe intervale me diell, ku gjatë ditës pritet shtim i vranësirave, duke gjeneruar reshje shiu, të cilat kohë pas kohe do të jenë në formën e rrebesheve, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh dhe breshër në zona të caktuara. Reshjet pritet të marrin intensifikim vonë pasdite dhe në mbrëmje, të cilat në zona të caktuara do të jenë me lëvizje të ngadalshme, duke shkaktuar edhe vërshime lokale! Reshjet do të vazhdojnë edhe gjatë natës si dhe ditën e Shtunë, duke rrezikuar gjendjen edhe më tepër për vërshime, sidomos në ato zona që janë të prirura”, thuhet në njoftim.
Temperaturat poashtu do të pësojnë ulje.
“Temperaturat do të pësojnë ulje të theksueshme, ku të Premten minimalet do të luhaten prej 12 deri në 15°C, ndërsa ato maksimale prej 22 deri në 26°C. Vonë pasdite, temperaturat do të pësojnë ulje më të ndjeshme, duke zbritur nën vlerën 20°C. Të Shtunën parashihet minimalet të luhaten prej 14 deri në 16°C, ndërsa ato maksimale prej 17 deri në 21°C”, thuhet tutje.