Reperi Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit Stresi, ka vendosur të anulojë të gjitha koncertet dhe performancat e tij, pas vdekjes së mikut të tij Brilant Martinaj.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë reperi përmes një postimi në Instastory, ku shkruan se arsyeja e këtij vendimi është se ka nevojë për qetësi.
“I kërkoj ndjesë publikut, i kërkoj ndjesë të gjithë clubeve ku do performoja por anuloj çdo aktivitet timin. Kam nevojë për qetësi.”- shkruan Stresi në postimin e tij.
Duket se Stresi ka pasur miqësi të ngushtë me Martinajn. 22-vjeçari dhe reperi kalonin kohë nën shoqërinë e njëri-tjetrin dhe publikonin video në rrjetet sociale.
“Zemra e vëllait, krejt botën ma përmbyse”, shkroi Stresi gjatë ditës së djeshme në një postim në Instagram, ku publikoi edhe disa mesazhe të shkëmbyera me viktimës.
Ndërsa ditën e sotme reperi publikoi një video të Brilant Martinajt që këndon nën ritmet e muzikës së tij: “Mos u mërzit, mos u mërzit, kështu e ka jeta, kështu e bëjmë dit për ditë”.
22-vjeçari u ekzekutua në një atentat mesditën e së dielës (17 korrik) së bashku me miqtë e tij Besmir Hoxha dhe Diklen Vata. Ndaj makinës me të cilën lëviznin tre të rinjtë u qellua me breshëri kallashnikovi rreth 90 herë, duke bërë që mjeti të shpërthente në flakë.
Brenda mjetit u dogjën Martinaj dhe Hoxha, ndërkohë që Vata mundi të dalë nga makina, por që nuk u la i gjallë nga atentatorët të cilët u kthyen dhe e ekzekutuan.