CÜNEYT KARADAĞ
Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen pas tërmeteve me qendër në Kahramanmaraş që prekën 11 qytete bëri thirrje për bashkëpunim më të ngushtë mes Bashkimit Evropian (BE) dhe Türkiye-s, raporton Anadolu.
Rasmussen mori pjesë në Konferencën e 59-të të Sigurisë në Mynih që mbahet në Gjermani dhe në një deklaratë për AA tha se “Pas këtij tërmeti shkatërrues ndodhemi në solidaritet me popullin turk”.
“Edhe Danimarka me shumë vende të Evropës kanë marrë vendim që të sigurojnë ndihma humanitare për Türkiye-n”, tha Rasmussen i cili shtoi se “Është koha që të përmbushim nevojën e miqësisë tonë”.
Ai theksoi se BE-ja krahas përshpejtimit të ndihmës humanitare për të prekurit nga tërmeti me qendër në Kahramanmaraş duhet të marrë në konsideratë edhe pasojat afatgjate të tërmetit.
“Aktualisht përmes Kryqit të Kuq dhe organizatave të shoqërisë civile po bëhen përpjekje për të siguruar ndihmë për të prekurit nga tërmeti. Sigurisht që kjo (ndihmat) do të jenë të pranishme edhe pas tërmetit. Ky (tërmeti) do të ketë reflektime në afat të gjatë për Türkiye-n. Për këtë kemi nevojë për bashkëpunim të ngushtë. Duhet të sigurojmë që të kemi marrëdhënie të ngushta në aspektin e tregtisë dhe investimit, në mënyrë që Türkiye të rikuperojë humbjet e saj”, tha Rasmussen.
Ministrat e Jashtëm të BE-së më 20 shkurt do të diskutojnë mbi çështjen e ndihmës për të prekurit nga tërmeti, tha Rasmussen i cili shtoi se për këtë çështje mbështesin përpjekjet e Suedisë që ka presidencën e radhës së BE-së.
Pasi potencoi se Suedia ka zhvilluar punime mes vendeve të BE-së për të mbështetur Türkiye-n, Rasmussen tha: “Për këtë arsye më 20 shkurt duhet të vlerësojmë situatën dhe do të pres iniciativën e Suedisë, presidentes së radhës së BE-së”.