Një sherr masiv që ka agravuar në përdorimin e armëve të zjarrit ka ndodhur këtë enjte,(2 janar 2025) rreth orës 01:35, në fshatin Gjashtë. 12 persona u përfshinë në sherr mes tyre 4 janë punonjës policie jashtë shërbimit. 3 prej tyre rezultojnë vëllezër.
Efektivët të cilët kanë marrë pjesë në përplasje dyshohet të jenë Alvaro Sulejmani, efektiv në Komisariatin e Policisë Himarë, Kidi Sulejmani dhe Ergis Sulejmani, të dy efektivë të Policisë Kufitare Sarandë, Redi Sulejmani, student në Akademinë e Policisë Tiranë (këta 3 të fundit vëllezër).
Ndërkaq AMP njofton se ka arrestuar 4 punonjës policie dhe 4 shtetas, 2 shtetas referohen në gjendje të lirë dhe 2 shtetas shpallen në kërkim.
NJOFTIMI I AMP-së
Më datë 02.01.2025, rreth orës 01:30, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, ka bërë të mundur parandalimin e një ngjarje të rëndë, pasi në fshatin Gjashtë të Sarandës, përballe një biznesi restorant, janë konfliktuar me sende të forta disa shtetas, ku nga verifikimet dhe veprimet e kryera, jane identifikuar shtetasit E. N. dhe A. N., të cilët janë dëmtuar me sende të forta dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Punonjësi i policisë A.S gjatë konfliktit ka përdorur dhe ka qëlluar me armën e shërbimit.
Gjithashtu, të përfshirë kanë qënë edhe shtetasit I. N. dhe O. B., të cilët janë konfliktuar me punonjësit e policisë I. S., A. S., M. S. dhe E. S., si dhe shtetasit Sh. S., B. Ç., K. Xh., I. D., D. D. dhe K. S.
Nga veprimet hetimore të kryera nga AMP (këqyrja në vendin e ngjarjes, këqyrja e kamerave dhe deklarimet e marra) ka arrestuar në flagrancë për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, “Shkatërrim i pronës”, “Plagosje e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Punonjësit e policisë:
1. A.S., me detyrë SPZ në Komisariatin e Policisë Himarë (I dyshuar për veprën penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”)
2. I.S., me detyrë agjent në seksionin e hetimit në Komisariatin e Policisë Sarandë
3. M.S., student në Akademinë e Sigurisë
4. E.S., me detyrë inspektor në Komisariatin e Policisë Sarandë
Shtetasit:
1. K. S.
2. Sh. S.
3. D. D.
4. K. S.
U ndoqën në gjendje të lirë për veprat penale “Shkatërrim i pronës” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”, shtetasit E. N. dhe A. N.
Janë shpallur në kërkim për veprat penale “Shkatërrim i pronës”, “Plagosje e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, shtetasit I. D. dhe B. Ç.
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 3 pistoleta, 4 automjete dhe 7 aparatë celularë.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse
SHERRI
Sipas dëshmive paraprake, pjesëtarë të fisit Sulejmani kishin marrë një makinë me qira tek dy vëllezërit Enea Nexhipi dhe Albi Nexhipi dhe se konflikti ka nisur për detyrimin e qiramarrjes së automjetit.
Anëtarë e fisit Sulejmani që kishin marrë makinën me qira, të shoqëruar nga 4 efektivët e sipërpërmendur, thuhet se kanë shkuar te shtëpia e dy vëllezërve ku janë konfliktuar me grushte dhe sende të forta.
Policët e përfshirë në sherr kanë dëshmuar se kanë përdorur armët e shërbimit, duke u justifikuar se ishin sulmuar nga vëllezërit Nexhipi.
Po ashtu, i përfshirë në sherr, krah Sulejmanëve, ishte edhe Igli Duka, ish-efektiv i Policisë Sarandë, i cili më parë është arrestuar në Skoci për përfshirje në një operacion të kultivimit të marijuanës.
Dy vëllezërit Nexhipi u dërguan në spital pas lëndimeve nga goditja me sende të forta. Pas marrjes së ndihmës mjekësore në spital, ata u shoqëruan në Komisariatin e Policisë Sarandë.
Bëhet me dije se janë identifikuar dhe shoqëruar në komisariat të gjithë personat e përfshirë në sherr nga fisi Sulejmani dhe Duka, si dhe një shtetas me mbiemër Beqir Çocka.
Burimi: botasot.info